Pas rritjes së pagave për punonjësit e administratës shtetërore prej 1 Korrikut 2024, qeveria edhe për këtë vit planifikon të ndërhyjë në skemën e pensioneve. Ndryshime priten të bëhen jo në mënyrë të njëtrajtshme por nëpërmjet kategorizimit në masën e indeksimit, si dhe të kontributeve. Sipas planit raportohet se indeksimi i pensioneve nuk do të jetë më unik për të gjithë pensionistët, por do të zbatohen përqindje të ndryshme me qëllim që vlera në lekë e rritjes së të jetë e njëjtë. Duke qenë se indeksimi në vlera të ndryshme, konkretisht për 3-4%, si për pensionet e ulta dhe për pensionet maksimale, norma e përfitimit do të jetë e ndryshme. Sakaq, në fokus të planeve qeveritare, ekspertët e ekonomisë, si Dr. Teuta Nunaj bën me dije se ka të bëj me kompensimet që marrim mosha e tretë, ku priten lajme të mira për pensionistët pasi parashikohet të kenë një rritje të ndjeshme. Indeksimi i diferencuar
Ndërkohë, edhe një tjetër element që pritet për këtë vit të jetë në fokus të planit është edhe indeksimi i diferencuar. Qeveria po sheh mundësinë e zbutjes së diferencave në nivelin e kontributeve që ekzistojnë aktualisht ndërmjet të vete punësuarve në fshat në raport me ato në qytet, duke subvencionuar pjesën e mbetur. P.sh., një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tri herë më të lartë. Përmes këtyre ndryshimeve synohet qëndrueshmëria e skemës së pensioneve, si edhe një shpërndarje më e drejtë e mbështetjes për këtë kategori.
Formula për rritjen e pensioneve të ulta
Nga ana tjetër thuhet se qeveria për muaj me radhë është në proces vlerësim mbështetje ndaj skemës së pensioneve, ku nëpërmjet sinjaleve të shumta edhe për ndryshimin e mënyrës së indeksimit të pensioneve. Shumë ekspertë të ekonomisë, vlerësojnë se për të mos u krijuar pabarazitë në mbështetje ndaj kategorive të pensionistëve, për të mos shkaktuar pabarazi sociale, rrjedhimisht duke cënuar dhe skemën e pensioneve, vlerësojnë të arsyeshme, trajtesën me bonuse apo pension të 13-të. E si e tillë, mbështetja ndaj pensioneve duhet të vij në formë të subvencionit apo kompensimit, jashtë skemës për të mos ndjerë diferencimin dhe pabarazinë. Më shumë se 45 për qind e të moshuarve, kryesisht në zonat rurale sot trajtohen me pensione të ulta. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të ardhurat mesatare të pensionistit të qytetit në vitin 2022 ishin 18,615 lekë në muaj ndërsa të ardhurat mesatare të pensionistit të fshatit ishin 10,888 lekë në muaj. Prej disa muajsh qeveria me asistencën e Bankës Botërore është duke parë aspektet, të cilat duhet të korrigjohen apo të ndryshojnë. Ajo që dihet deri në këtë fazë të procesit është, që ndërhyrja do të bëhet në disa drejtime përfshirë këtu edhe rishikimin e nivelit të kontributeve që paguhen, rritjen e kompensimeve dhe rishikimin e skemës suplementare. Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mësohet se prioriteti është adresimi i mbulimit të dobët të popullsisë në moshë pune. Në këto kushte, do të synohet që stimulohen të rinjtë që të paguajnë kontributetet. Kjo nënkupton ruajtjen e normës së kontributit në një grup të arsyeshëm dhe ndoshta kryerjen e studimeve për të kuptuar nëse një periudhë më e shkurtër e kontributeve mund të nxisë më shumë punonjës për të kontribuar.
Skema e re
Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative. Gjithashtu, ndryshimet do të marrin në konsideratë zhvillimin e skemave private, duke ofruar stimuj për profesionistët dhe të vetë punësuarit. Skema e pensioneve rurale gjithashtu është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve dhe përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale. Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2032 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Risia tjetër ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Teksa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulëta se pensioni mesatar. Më 2014 kishte 460,736 pensione pleqërie dhe 28% e tyre morën pagesa të pjesshme, ndërsa vitin e kaluar, gati 50% e totalit të pensioneve të pleqësisë ishin të pjesshme. Shumica e pensionistëve po përfundojnë me pagesa mujore afër pensionit minimal dhe atij social. Personat që dolën në pension gjatë vitit 2023 morën pagesë mesatare rreth 15,569 lekë, vlerë kjo 15% më e ulët se pensioni mesatar për të gjithë pensionistët. Ekspertët që po punojnë për reformën pohuan se pritet të ketë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social që tani janë në nivele të njëjta.