JiL.al - Jeto i Lumtur

Netanyahu dhe Biden takim ‘kokë më kokë’ në SHBA

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të takohet të martën me presidentin amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur zyra e liderit izraelit. Netanyahu pritet të niset të hënën drejt Shteteve të Bashkuara. Dy liderët janë takuar për herë të fundit personalisht në Tel Aviv më 18 tetor, pak pas sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, më 7 tetor.

Atë ditë, militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – kanë vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe kanë marrë peng rreth 240 të tjerë. Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.

Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.

Sipas raportimeve në media, diskutimet pritet të fokusohen në tentimet për të garantuar një armëpushim në Gazë dhe lirim të pengjeve, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Ndërkohë, në Izrael po rriten kritikat për udhëtimet e Netanyahut jashtë vendit.

Protestuesit kërkojnë që ai të largohet nga Izraeli vetëm pasi të jetë arritur një marrëveshje për lirim pengjesh. Të mërkurën Netanyahu do t’i adresohet Kongresit amerikan, lidhur me veprimet e ushtrisë izraelite në Gazë.

Marrëdhëniet në mes të Bidenit dhe Netanyahut konsiderohet të jenë të tensionuara, sidomos pas një videoje të publikuar së fundmi prej liderit izraelit, në të cilën ai kritikon ashpër Qeverinë amerikane për pezullim të një pjese të ndihmës ushtarake.

Scroll to Top