
Sipas aktakuzës së siguruar nga Paparaci, Fero akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe sjellje kërcënuese ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli, në periudhën qershor – tetor 2024.
“Me kon je tu fol… për çka i ke ly buzt?”, citohet të ketë thënë ai në një prej episodeve të përsëritura të ofendimeve.
Në dokumentin zyrtar thuhet se Fero e ka shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme Arbenitën përmes telefonatave dhe takimeve në Qendrën për Punë Sociale në Gjilan, duke i shkaktuar “frikë, ankth dhe dhimbje emocionale”.
Përveç dhunës, Fero dyshohet se ka kryer veprën penale të ngacmimit seksual. Në aktakuzë thuhet se ai e ka puthur Arbenitën kundër vullnetit të saj, duke i thënë: “Ti je gruaja jem, unë kam të drejtë me fjet me ty… nuk ki të drejtë me m’thanë jo”.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë shkelur rëndë integritetin dhe lirinë personale të të dëmtuarës.
Aktakuza gjithashtu përfshin detaje shqetësuese të kërcënimeve të Feros, përmes mesazheve në WhatsApp, përfshirë fjalët: “Ke me ma ni krismën… të vraj… ta nxjerri shpirtin prej vendit… fëlqitë nga vendi t’i thej…”.
Sipas Prokurorisë, këto ishin përpjekje për të frikësuar dhe kontrolluar emocionalisht Arbenitën, duke përbërë kështu vepër penale të kanosjes serioze.
Fero ishte arrestuar për herë të parë më 11 korrik 2023, për sulm fizik ndaj ish-bashkëshortes. Tashmë, me aktakuzën e ngritur në dhjetor 2024, Prokuroria kërkon dënimin e tij sipas ligjit dhe ka paraqitur provat përkatëse për të mbështetur akuzën.
Avokatja e të akuzuarit, Bedri Shabani, ka konfirmuar për mediat ekzistencën e aktakuzës, por ka refuzuar të komentojë për detaje, duke u thirrur në “natyrën familjare” të rastit.
Ndërkohë, Fero është rikthyer në muzikë pas një pauze dyvjeçare, duke publikuar një projekt të ri pak muaj më parë. Por këto zhvillime ligjore mund të rrezikojnë seriozisht karrierën e tij, ndërkohë që çështja mbetet në duart e drejtësisë.
