Vetëm një ditë para protestës së ardhshme të opozitës në Tiranë, e cila do të zhvillohet sërish në formën e një marshimi në rrugët kryesore të kryeqytetit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për të rinjtë, veçanërisht studentët dhe gjimnazistët, për t’u bashkuar në këtë nismë.
Gjatë një aktiviteti përkujtimor në nderim të liderit të studentëve të dhjetorit, Azem Hajdari, Berisha theksoi rëndësinë e këtyre momenteve për të mos harruar veprën e Hajdarit dhe për të motivuar të rinjtë që të dalin në ballë të aksionit politik të Partisë Demokratike, veçanërisht në kuadër të betejës elektorale të 11 majit.
“E shkuara është një udhërrëfyes për të projektuar të ardhmen,” u shpreh Berisha, duke shtuar se rinia luan një rol vendimtar për të transformuar të pamundurën në të mundur. “Ne sot jetojmë në një diktaturë, dhe askush nuk duhet të ketë iluzione mbi këtë realitet,” shtoi ai.
Gjatë aktivitetit, mori pjesë edhe djali i vogël i Azem Hajdarit, i cili iu drejtua të rinjve me një thirrje për t’u afruar me Partinë Demokratike, duke theksuar se vetëm përmes përfshirjes së tyre mund të arrihet një rotacion i mirëfilltë politik në vend.