Në pak më shumë se nëntë vite, ish-presidenti dhe ndoshta presidenti i ardhshëm Donald Trump ka reformuar Partinë Republikane në një vend gjithnjë e më të ndarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, i hedh një vështrim përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për një rikthim politik historik.
“Tani mund të themi se ish-Nënpresidenti Joe Biden është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara…”, njoftohej në mediat amerikane.
Por kur fundi erdhi, Donald J. Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.
“Nëse numëroni votat e ligjshme, unë fitoj lehtësisht. Nëse numërohen votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na i vjedhin zgjedhjet”, tha atëherë ish-Presidenti Trump.
Ai u bëri thirrje mbështetësve që ta pengonin Kongresin të certifikonte rezultatet më 6 janar 2021.
“Do luftojmë me gjithçka. Dhe nëse nuk luftoni me gjithçka, nuk do ta keni më vendin tuaj”, tha ish-Presidenti Trump.
Ajo që rezultoi ishte një skenë e paimagjinueshme më parë në Amerikë, që çoi në ngritjen për herë të dytë të akuzave në Kongres për shkarkimin e tij. Mospranimi i humbjes nga zoti Trump, ishte në përputhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm ndaj të zakonshmes.
“Mendoj se ajo që shihni është dikush që ka besim të jashtëzakonshëm në intuitën e tij”, thotë Russ Buettner, nga gazeta “The New York Times”.
Russ Buettner dhe Susanne Craig janë gazetarë investigativë në gazetën ‘The New York Times’ dhe bashkëautorë të librit “Lucky Loser”, një vështrim jo i këndshëm i rrethanave se si zoti Trump e shndërroi veten në një miliarder që mbështetet në forcat e tij.
“Që nga fillimi i viteve ‘80, ai nuk u ka besuar vërtet njerëzve që kanë ekspertizë të fushës në pothuajse çdo gjë. Ai gjithmonë kërkon ta rrëzojë mendimin e tyre dhe t’i bëjë gjërat siç i dëshiron ai që të dalin”, thotë gazetari Buettner.
Ndërtesat e zotit Trump mbartnin emrin e tij me gërma të mëdha të arta, një shfaqje e guximshme e ambicieve të tij.
“Kur po jepte një intervistë për gazetën ‘The New York Times’, kishte një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte rritur në një miliard kur ai po fliste një dekadë më vonë për emisionin ‘60 Minuta’,” tregon gazetarja Susanne Craig, nga “The New York Times”.
Zoti Trump shkëlqente në tërheqjen e vëmendjes dhe kultivimin e një imazhi për veten e tij si mundësues i marrëveshjeve. Ai fitoi miliona dollarë vetëm nëpërmjet licencave për përdorimin e emrit të tij.
Por pas suksesit qëndronin telashet. Kompanitë e tij shpallën falimentimin gjashtë herë. Kazinotë e tij humbën të ardhura dh e u mbyllën. Zoti Trump u rimëkëmb me spektaklin e tij televiziv, “The Apprentice”, që mundësoi edhe rolin e tij më të madh deri më tani.
“Zonja dhe zotërinj, unë po kandidoj zyrtarisht për president të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, deklaroi ai në qershor të vitit 2015.
I vendosur dhe pa doreza, zoti Trump ishte një kandidat polarizues dhe nacionalist.
“Kur Meksika dërgon njerëzit e saj, ata nuk dërgojnë më të mirët e tyre… Ata po sjellin drogën, po sjellin krimin, ata janë përdhunues dhe disa, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump.
Si president, ai emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e të drejtave federale për abortin.
“Numri i vdekjeve në SHBA është tani mbi 150,000”, njoftonin mediat gjatë pandemisë.
Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 sprovoi ish-Presidentin Trump. Ai përshpejtoi prodhimin e vaksinave për të shpëtuar jetë njerëzish. Por ai gjithashtu u duk se sugjeroi që shkencëtarët të studionin injektimin e klorinës për të vrarë virusin.
Me mbi 9 milionë amerikanë të infektuar dhe me numrin e vdekjeve që i kaloi 230 mijë, votuesit atë nëntor zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të ardhshëm.
Pas lënies së detyrës, ish-Presidenti Trump u përball me padi të shumta penale dhe është ish-presidenti i parë që është gjendur fajtor për një vepër penale.
E megjithatë, ai kurrë nuk ka qenë më popullor se tani.
Duke i mbijetuar dy atentateve këtë vit,… ai vetëm e ka forcuar lidhjen me mbështetësit e tij.
“Zoti ka një plan për Trump-in. Dhe ai absolutisht u kursye për disa qëllime dhe arsye. Dhe shpresojmë se do të bëhet presidenti i 47-të”, thotë mbështetësja Pam Smith, nga Pensilvania.
Politika amerikane nuk ka qenë më e njëjta që kur Donald Trump-i u bë pjesë e saj.
Dhe njeriu që dikur ishte bashkautor i librit “Arti i Rikthimit”, tashmë mund të jetë duke realizuar një nga rikthimet më të mëdha në historinë amerikane./VOA