
Tiranë, 4 qershor 2025 – Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2025, dhe jo më 1 qershor siç ishte njoftuar më herët nga autoritetet shqiptare. Konfirmimi vjen nga përfaqësues të patronatit italian në Shqipëri, të cilët theksojnë se afati zyrtar përcaktohet në bazë të shkëmbimit të dokumenteve ndërmjet dy qeverive, i cili ndodhi në mesin e muajit maj.
Sipas Tresjana Elmazit, përfaqësuese e UIM Albania, neni 31 i marrëveshjes së ratifikuar në parlamentet e të dy vendeve parashikon që ajo të hyjë në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të instrumenteve ligjore. Kjo përkon me datën 1 korrik 2025. Gjatë kësaj kohe, qytetarët që kanë punuar në të dy vendet mund të përgatisin dokumentacionin për aplikim pranë sporteleve të patronatit italian në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.
Elmazi thekson se çdo qytetar i interesuar mund të paraqitet pranë zyrave të UIM Albania për të krijuar një panoramë të qartë të kontributeve të tij në të dy sistemet e sigurimeve shoqërore, shqiptar dhe italian. “Ky shërbim ofrohet falas dhe realizohet në bashkëpunim me ISSH-në në Shqipëri dhe INPS-in në Itali, falë financimit të Ministrisë së Punës italiane,” – nënvizon ajo.
Marrëveshja për pensionet u nënshkrua më 6 shkurt 2024 nga ministrat Antonio Tajani dhe Igli Hasani, ndërsa hyrja e saj në fuqi kërkoi një proces të gjatë ratifikimi dhe publikimi në fletoret zyrtare të të dy vendeve. Dokumenti garanton të drejtat e pensionit për shqiptarët që kanë punuar në Itali dhe italianët që kanë punuar në Shqipëri. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë dhe mbi 4 mijë shtetas italianë.
Marrëveshja përfshin jo vetëm përfituesit e pensionit të pleqërisë, por edhe të invaliditetit, dhe njeh gjithashtu periudhat e lejeve për sëmundje apo lindje. Për zbatimin e saj, qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh deri në vitin 2032, me një buxhet fillestar prej 7.6 milionë euro për vitin 2025, i cili rritet në mënyrë progresive çdo vit.
Italia renditet pas Greqisë për numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë dhe është një nga vendet kryesore ku shqiptarët kanë ndërtuar jetë dhe karrierë. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje vlerësohet si një hap historik në mbrojtjen sociale të kësaj kategorie.