
Efektivi i policisë nga Fier, Klaidi Mustaj, është kthyer në “heroin e ditës” pasi mbrëmjen e kaluar rrezikoi jetën për të shpëtuar katër persona që udhëtonin me një automjet tip “Benz”, i cili u përmbys në Qafën e Koshovicës.
Mustaj ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes dhe ndërhyri menjëherë, duke i nxjerrë të lënduarit nga mjeti që rrezikonte të shpërthente në flakë. Fillimisht ai arriti të shpëtojë një fëmijë, ndërsa brenda pak sekondash shuajti zjarrin dhe më pas nxori shoferin dhe pasagjerët e tjerë.
“Nuk mund ta quaj veten hero, pasi çdo punonjës policie është i trajnuar për situata të tilla dhe duhet të veprojë me humanizëm dhe gjakftohtësi”, është shprehur ai për mediat. Mustaj tha se nuk mendoi as për jetën e tij teksa dëgjonte thirrjet për ndihmë nga brenda mjetit.
29-vjeçari, i cili është edhe jurist dhe në përfundim të studimeve Bachelor, ka marrë falënderime nga qytetarë, drejtues të policisë dhe madje edhe nga Kryeministri. Ai theksoi se do të vepronte njësoj në çdo situatë të ngjashme, brenda ose jashtë shërbimit.
Në fund, ai bëri apel për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kujtuar se “një gabim i vogël mund të ketë pasoja fatale”. /noa.al