JiL.al - Jeto i Lumtur

Vucic: Nuk turpërohem nga mardhëniet e mira me Rusinë!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se kandidatura e shtetit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një “Kali i Trojës” për Moskën, pavarësisht se shteti i tij ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve të tjera me bllokun.

Duke folur në konferencën Globsec në Pragë më 31 gusht, Vuçiq tha se ai nuk është takuar apo nuk ka biseduar me Putinin në të paktën dy vjet e gjysmë, që kur trupat ruse nisën pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira – nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo – me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve”.

Zyrtarët serbë, veçmas zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, kanë mbajtur raporte të ngushta me Moskën që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Vuçiq u bëri thirrje partnerëve evropianë që të tregojnë më shumë besim ndaj qëllimit të Serbisë për t’iu bashkuar bllokut evropian.

Ai tha se procesi varet jo në raportet e Serbisë me Rusinë, por në normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Po, ne jemi në rrugën evropiane dhe problemi më i madh për Serbinë…. është raporti ynë me Prishtinën”, tha Vuçiq, duke shtuar se kjo çështje është e vështirë për shtetin e tij.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi është të krijohet besim i ndërsjellë mes Serbisë dhe BE-së, e jo Serbia të shihet si “Kali i Trojës” për Rusinë”, tha Vuçiq./rel

Scroll to Top