Pengmarrje, 200 mijë euro dhe tendera të dyshimtë në Librazhd: Hetimi që zbuloi gjithçka në banesën e një zyrtareje të KPP

Jil
Jil
3 Min Read

SPAK zbulon rast të rëndë gjatë hetimit të një dosjeje tjetër për tendera publikë. Në skenë del një ngjarje e pazbuluar më parë: grabitje me armë dhe rrëmbim familjari në banesën e një zyrtareje shtetërore.

Një ngjarje e pazakontë që përfshin një grabitje të dyshuar me armë, rrëmbimin e një personi dhe 200 mijë euro të zhdukura, është zbuluar rastësisht gjatë hetimeve që po kryen SPAK për disa tendera të dyshimtë të zhvilluar në Librazhd. Në qendër të kësaj ngjarjeje që mban elementë të një skenari kriminal filmik ndodhet një zyrtare e Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja, e cila po hetohet paralelisht për çështje abuzimi me tendera publikë.

Sipas burimeve, ngjarja e rëndë daton që prej vitit 2020, por nuk rezulton e denoncuar në polici. Gjatë përgjimeve të kryera nga prokuroria në kuadër të hetimit për tenderat e dyshuar, hetuesit kanë zbuluar biseda të zyrtares me familjarë të saj, ku përmendet se persona të maskuar kanë hyrë në banesën e tyre dhe kanë marrë peng të vëllanë, duke e detyruar të dorëzojë shumën prej 200 mijë eurosh, përpara se të largoheshin nga vendngjarja.

Zyrtarja dyshohet se ka justifikuar shumën e parave si të ardhura nga familjarë të saj që jetojnë në Greqi, por hetuesit kanë ngritur dyshime të forta lidhur me burimin real të këtyre të hollave. Kjo ngjarje është ndarë tashmë si një çështje më vete dhe ka hapur hetime të reja nga SPAK.

Ndërkohë, burimet konfirmojnë se për dosjen kryesore të tenderave janë marrë të pandehur 11 persona, përfshirë edhe Jonaid Myzyri, në lidhje me shkelje të barazisë në tendera të zhvilluar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Librazhd.

Hetimet po zhvillohen nga prokurori Elvin Gokaj, i cili më parë ishte përqendruar në hetimin e shkeljeve në prokurime publike, por përgjimet dhe analizat e thelluara kanë nxjerrë në dritë edhe ngjarje të tjera të pazbuluara më parë, përfshirë grabitjen dhe rrëmbimin.

Aktualisht, SPAK ka kërkuar nga policitë e Elbasanit dhe Librazhdit të dhëna për çdo denoncim të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje, por sipas informacioneve të para, ajo nuk figuron e raportuar asnjëherë zyrtarisht.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania