JiL.al - Jeto i Lumtur

Për shqiptarët në demokraci politika është opium

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Është e sigurtë zhdukja e një vendi ku njerëzit mposhtin ligjin edhe forca mposht të drejtën,shkruan një politikan. Edhe pas tre dekadave, ende nuk mundemi, apo nuk duam që t’i zgjidhim problemet politike, ekonomike, veçmas ato ndëretnike, për të cilat dëshmojnë rastet e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ky nacionalizëm ballkanik u keqkuptua me të vërtetë dhe u ngatërrua me shovinizmin dhe e prishi konceptin e nacionalizmit real. Në emër të nacionalizmit primitiv, ata kaluan në politikë shoviniste dhe krijuan albanofobinë. Ky lloj nacionalizmi nëpër shekuj mbeti një interpretim i keq; një keqpërdorim spekulativ, i cili ka sjellë lindjen dhe thellimin e albanofobisë ballkanike. Pastaj kjo politikë antishqiptare krijoi dorën e gjatë njëshekullore, e cila ka detyruar politikën zyrtare të shtetit shqiptar herë pas here të reagojë kundër politikës aktuale antishqiptare ballkanase dhe ka kërkuar që të heqin dorë nga ky antishqiptarizëm, sepse përmes kësaj albanofobie rrezikohet paqja në rajon. Deklaratat e publicistit dhe intelektuali për kombin kosovar, tashmë të njohura dhe të diskutuara, kanë nxitur reagime. Kjo ngase ai intelektual hedh aty idenë e kombit kosovar, apo edhe se rasti i Kosovës do të ndihmojë zhvillimin e teorisë së kombit. Por mendime të tilla, siç gjykojmë ne, dëmtojnë çështjen shqiptare në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, në veçanti. Hapësirat shqiptare ballkanike mbeten të konfiguruara brenda një realiteti të hidhur gjeografik dhe historik, pasi jo vetëm se shqiptarët mbetën të jetojnë në gjashtë shtete ballkanike, por më e keqja është se kjo ndarje, jo vetëm që solli dobësimin e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi, por depërtuan edhe politika dhe interesa të ndryshme, që çuan drejt lodhjes së madhe shekullore, sepse shqiptarët mbetën të panënshtruar. Albanofobia e fqinjëve tanë është një reagim instiktiv , i krijuar për rreth 100 vjet, por tashmë kohët kanë ndryshuar. Europa po rirreshtohet dhe gabimet Perëndimi ka filluar t’i përmirësojë. Ndonëse disa shtete të ish-Jugosllavisë po rimëkëmben, Maqedonia e Veriut, e panjohur plotësisht si shtet, duke diskutuar edhe emrin e saj, po përballet me vetveten, duke arritur deri në konfrontime e luftë civile, siç ishte rasti i Kumanovës. Mendojmë se ky realitet vjen edhe nga mbajtja në këmbë me zor e Maqedonisë së sotme, shtet që u krijua dhe mbahet në këmbë me paterica. Në Ballkan nuk ka të mëdhenj e të vegjël, me ndryshimet dhe rirreshtimet e reja, në gadishullin tonë, dalëngadalë të gjithë do të kuptojnë se nuk ka më të mëdhenj, të gjithë janë të barabartë. Ne shqiptarët ende nuk jemi formuar si komb në kuptimin e plotë të fjalës. Shqiptarët ende nuk kanë një program nacional që do t’i emanciponte në aspektin e ngritjes së vetëdijes kombëtare, për mbrojtjen e tyre jo për të sulmuar të tjerët. Ne kemi ende probleme me identitetin tonë. E politika mendojmë se duhet t’u paraprijë të këqijave të akumuluara mes veti dhe fqinjëve. Me një fjalë shqiptarët jetojnë jashtë realitetit të sotëm kohor,ndërkohë në Shqipëri janë të regjistruar mbi 200 parti.

Scroll to Top