JiL.al - Jeto i Lumtur

Perëndimi i SHBA-së nën pushtetin e të nxehtit ekstrem

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara është përfshirë nga i nxehti ekstrem me temperatura në mbi 40 gradë Celsius.

Rreth 110 milionë njerëz në 21 shtete në të gjithë Perëndimin dhe Atlantikun e Mesëm janë vendosur nën paralajmërim për të shmangur daljet në orët e pikut dhe të qëndrojnë të hidratuar.

Portland në Oregon si dhe në Jackson, Mississippi, temperaturat pritet të thyejnë rekorde duke arritur deri në 46 gradë Celsius sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA. Moti përvëlues fillon pikërisht kur vendi feston Ditën e Pavarësisë, një festë kur shumë amerikanë shkojnë në shtete të tjera për të parë shfaqje me fishekzjarre, parada, festivale.

Ndërkaq i nxehti ekstrem ka nxitur edhe zjarret në Kaliforni. Zjarri ka djegur 2,000 hektarë në Butte County dhe qytetin e Oroville, që detyroi rreth 13,000 banorë të largohen nga shtëpitë. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli një gjendje të jashtëzakonshme duke hapur rrugën për burime shtesë si dhe mundësinë e mobilizimit të Gardës Kombëtare të Kalifornisë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Nxehtësia e shoqëruar me erërat e forta dhe lagështia e ulët në Kaliforninë Veriore po bëhet veçanërisht sfiduese për 500 zjarrfikësit që po luftonin me të ashtuquajturin Zjarri Thompson, i cili shpërtheu që nga e marta në mëngjes.

Fotografitë dhe pamjet video nga zona e vendosur rreth 65 milje (105 km) në veri të Sacramento, kryeqyteti i shtetit, tregojnë flakët që djegin struktura dhe automjete. Tymi është përhapur gjithashtu deri në jug në San Francisko ku 7.7 milionë banorë të Zonës së Gjirit u paralajmëruan që të mos dalin nga shtëpitë si dhe të mos përdornin fishekzjarret për festimet e 4 korrikut për shkak të cilësisë së ulët të ajrit.

Nga ana tjetër, uragani Beryl goditi Xhamajkën duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. 2 persona humbën jetën duke e çuar bilancin e të vdekurëve në 9, pasi shtatë humbën jetën në pjesën lindore të Karaibeve. Një pjesë e madhe e njerëzve u vendosën në strehimore të përkohshme

Aeroportet në kryeqytetin e Xhamajkës, Kingston dhe Montego Bay u mbyllën. Turistët e shqetësuar mbërritën në aeroportin e Kankunit për të lënë qytetin turistik meksikan përpara mbërritjes së uraganit Beryl. Beryl, uragani i parë i sezonit, me erëra deri në 225 km/h sipas shkencëtarëve është ndër uraganet më të fuqishëm deri më tani.

Klan News

Scroll to Top