JiL.al - Jeto i Lumtur

Përjashtimi i 24 deputetëve të PD, Balla bën reagimin e parë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Sekretariati i Etikës në Kuvend vendosi këtë pasdite të përjashtojë 24 deputetë të Partisë Demokratike, pas djegies së karrigeve dhe pengimit të seancës plenare të ditës së hënë.

Etika përjashtoi për 60 ditë deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, ndërsa për Edi Palokën kjo masë ndëshkimore do të zgjasë 10 ditë, e për 20 ligjvënësit e tjerë të opozitës për 40 ditë.

Taulant Balla ishte i pari nga radhët e socialistëve që pati një reagim për vendimin e marrë nga Etika dhe aksionin opozitar që prodhoi kaos në Kuvend.

I ftuar në një emision televiziv ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin tha se mazhoranca nuk ka asgjë për të negociuar me demokratët, në kushtet kur ata e justifikojnë aksionin në Kuvend si pasojë e vendimit të Gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji.

“Kjo këtu pastaj është bërë qesharake. Për çfarë dialogu, për çfarë do negociojmë. Se ata duan të negociojnë për vendimet e drejtësisë. Nuk e kemi ne në dorë. Po s’ka, lëre ç’qeverie teknike. Të flasim për gjëra serioze tani se thonë kjo gjëja erdhi tani për një vendim gjykate. Unë nuk i komentoj vendimet e gjykatës. Kam pasur raste kolegësh të PS që janë marrë të pandehur, ju është hequr liria, janë dënuar nga gjykata. Ke parë ndonjë rast, jo mua, por asnjë koleg nga PS që të thonë se shiko ky vendim i gjykatës, ose ky vendim i SPAK-ut për këtë kolegun tonë…. Jo. Po s’ndodh se është qasje. Sepse ka të bëjë me marrëdhënien me shtetin. Ne jemi pushteti legjislativ, kjo pjesa tjetër është pushteti ekzekutiv dhe ky është pushteti gjyqësor”,

 tha Balla.

Në vijim, Balla akuzoi demokratët për standartet e dyfishta që sipas tij ndjekin kur vlerësojnë vendimet e drejtësisë.

“Kur një vendim gjykate i marr nga e njëjta trup, dilet edhe thuhet: ‘Po ka dhe gra të mira dhe burra të mirë në këtë sistem gjyqësor’. Të njëjtën trupë gjyqësore që merr një vendim që s’të pëlqen ty këta janë të kapur. Më fal. Kaq bufa i dinë shqiptarët këta?”, u shpreh ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Balla pati edhe një mesazh për kolegët e tij nga radhët e opozitës, duke u bërë thirrje që dialogun, të cilin ia kërkojnë sot PS, të shkojnë dhe ta bëjnë me qytetarët në zonat e tyre elektorale.

“Unë të them të drejtën të isha deputet opozitës sot, do vija të enjten në Parlament, do mbaja një diskutim për problematikat që unë mendoj dhe të premte, të shtunë, të dielë, nëse do edhe të hënë dhe të martë e të mërkurë do isha në zonë tek njerëzit. Dhe nëse do dialog shko bëj dialogun me njerëzit”, u shpreh ai.

Scroll to Top