
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj planit të kryeministrit britanik, Keir Starmer, për të njohur shtetin palestinez. Në një konferencë për shtyp rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Trump tha se nuk pajtohet me qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe e cilësoi si një nga “mosmarrëveshjet e pakta” me liderin britanik.
“Kam një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë çështje. Është një nga të paktat që kemi”, deklaroi Trump, duke i bërë jehonë përçarjes së qëndrimeve mes dy aleatëve të mëdhenj ndërkombëtarë.
Ish-presidenti amerikan shprehu mbështetje të palëkundur për Izraelin, duke kujtuar mizoritë e sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe duke vënë theksin te nevoja urgjente për lirimin e pengjeve.
“Dua që pengjet të lirohen tani, pikërisht tani. Kam dëgjuar histori që nuk i kam menduar kurrë të mundshme. Nuk kishte njerëzim, asgjë,” tha ai me ton të ashpër.
Trump shmangu komentet për ofensivën e Izraelit në Gaza, duke preferuar të shprehej në mënyrë më të përgjithshme për zgjidhjen e konfliktit.
“Dua një fund. Dua që pengjet të lirohen dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë,” shtoi ai, pa dhënë detaje konkrete për një zgjidhje afatgjatë.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kritik, kur disa vende evropiane po përgatiten të njohin zyrtarisht shtetin palestinez – një hap që ka ndezur debat të gjerë ndërkombëtar.