
Shtetësia e të tretit, një 33-vjeçar, është ende nën verifikim por besohet të jetë nga një shtet i Europës Lindore, pjesë e ish-Jugosllavisë.
Një 25-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur pas një konflikti me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin Spinea, pranë Venecias. Sipas autoriteteve italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 në parkingun e një supermarketi në lagjen Orgnano.
Nga hetimet paraprake rezulton se në konflikt janë përfshirë tre persona, të gjithë me banim në zonën e Venecias dhe me precedentë penalë. I plagosuri, që dyshohet të jetë goditur nga një 37-vjeçar shqiptar, është dërguar në spitalin “Mirano” dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetësia e të tretit, një 33-vjeçar, është ende nën verifikim – por besohet të jetë nga një shtet i Europës Lindore.
Konflikti ka nisur me debate verbale pranë hyrjes së supermarketit dhe më pas ka eskaluar në përleshje fizike. Sipas dëshmitarëve, pas një momenti qetësie, disa prej të përfshirëve janë kthyer të armatosur me leva, duke goditur rivalët. Në këtë pikë, njëri nga të përfshirët ka nxjerrë një armë zjarri nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit, duke e plagosur në këmbë.
Arma e përdorur në incident nuk është gjetur ende nga autoritetet. Karabinierët e stacionit Spinea kanë rrethuar menjëherë zonën, ndërsa klientët dhe familjet që ndodheshin në supermarket janë strehuar brenda godinës për shkak të panikut.
Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë.