
Shpërthim gazi në Fier, 4 të plagosur – mes tyre 2 policë dhe një zjarrfikës
Fier – Një shpërthim i fuqishëm gazi ka ndodhur rreth orës 11:20 në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, duke lënë të plagosur katër persona, raporton noa.al.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit E. H., ku një bombël gazi ka shpërthyer, duke lënduar pronarin e shtëpisë, i cili është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit dhe zjarrfikëses për të kontrolluar situatën, ka ndodhur një shpërthim i dytë, duke plagosur dy efektivë policie, shtetasit Xh. P. dhe I. K., si dhe një punonjës zjarrfikës, shtetasin Sh. K.. Të tre të lënduarit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në shpërthimin e bombolës së gazit. /noa.al