Po fotografonte bazën e NATO-s, kapet spiuni në Greqi

Jil
Jil
3 Min Read

Athinë- Në një rast që konsiderohet jashtëzakonisht serioz dhe ka ngritur alarmin e kuq në shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë së Greqisë, mediat helene raportojnë se është arrestuar një 59-vjeçar gjeorgjian që ishte i rekrutuar nga mafia dhe Rusia si spiun.

Burri që hiqej si piktor kishte vepruar për muaj të tërë në Greqi, kryesisht në zonën e Aleksandropolis. Ai ka lindur në Gjeorgji dhe jetonte në Aleksandropolis. 59-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet greke të sigurisë nën akuzën e spiunazhit. Ai u zbulua pas hetimeve disa mujore, ndërsa fotografonte dhe filmonte bazat ushtarake dhe pajisjet e ushtrisë greke, duke vepruar në emër të një personi tjetër, të cilit ia dërgonte materialet përmes një aplikacioni të koduar.

Sipas informacioneve të deritanishme, 59-vjeçari u arrestua në flagrancë ndërsa po fotografonte transportin e pajisjeve të NATO-s. Siç pretendoi ai gjatë marrjes në pyetje, atij i ishte afruar një person nga Evropa Lindore, i cili është aktiv në trafikun e drogës, armëve dhe është gjithashtu i përfshirë në vrasje dhe prej tij, ai ishte rekrutuar për t’i shërbyer Inteligjencës së Rusisë.

Personi që e rekrutoi gjeorgjianin i kërkoi atij t’i dërgonte foto, video dhe informacione rreth pajisjeve ushtarake. “Rekrutuesi” thuhet se i premtoi para, por 59-vjeçari pretendon se i ka thënë se do të bënte gjithçka që mundte “për Nënën Rusi”, pasi kishte shërbyer në ushtrinë sovjetike.

“Po e bëj për vendin tim”, ka rrëfyer ai, ndërsa hetuesit po monitorojnë çdo telefonatë dhe komunikimet e tij.

Burime nga Shërbimi Informativ Kombëtar grek thanë për Protothema se 59-vjeçari kishte filmuar dhe fotografuar zona të ndjeshme ushtarake në kufi dhe në portin e Aleksandropolis për disa muaj me radhë.

59-vjeçari akuzohet se ia ka dërguar materialin vizual një personi që ndodhet në Lituani, e që mban pasaportë greke, por ka lindur gjithashtu në një vend të ish-Bashkimit Sovjetik. I njëjti burim i ka thënë Protothema-s se edhe personi i dytë është arrestuar në Lituani nga shërbimet përkatëse atje.

Kujtohet se që nga shkurti i vitit 2022, në Aleksandropolis është transportuar material ushtarak, i cili në shumë raste përfundon në Ukrainë.

Hetuesit grek tani po përpiqen të hartëzojnë plotësisht aktivitetet e tij në mënyrë që të përcaktojnë se çfarë ka fotografuar dhe kur, por rasti konsiderohet jashtëzakonisht serioz duke pasur parasysh praninë e forcave amerikane dhe të NATO-s në rajon.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al