JiL.al - Jeto i Lumtur

Policia dhe FNSH ‘blindojnë’ edhe Krujën

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një ditë pas vrasjes së ish-policit të Burgjeve, Gentian Bejtja, policia ka ngritur postblloqe në akset nacionale që përshkojnë zonën e Krujës.

Në fokus janë automjetet e dyshimta, të cilat po kontrollohen nëse drejtuesit kanë sende të paligjshme apo posedojnë lëndë narkotike.

Qëllimi është parandalimi i ngjarjeve të mundshme kriminale.

Kujtojmë se dhe në Vlorë, Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë ushtruar kontrolle në mjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj.

Deri më tani nuk raportohet për të shoqëruar apo të arrestuar.

Si ndodhi vrasja e Gentian Bejtjës

Dyshohet se kanë qenë 4 persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e ish-efektivit, i cili ishte një eksponent i njohur i krimit dhe i shpallur në kërkim nga policia.

Autorët mësohet se kanë udhëtuar me automjetin tip “Land Rover” nga zona e Fushë Krujës në drejtim të Larushkës. Ata janë futur rreth orës 16:20 minuta në rrugicën ku ndodhej vila e Gentian Bejtjas në fshatin Larushk, e cila ishte e rrethuar e gjitha me mure.

Pasi kanë parkuar fuoristradën në afërsi portës kryesore të banesës së ish-policit, 3 nga autorët kanë zbritur nga mjeti të kanë të maskuar, me veshje të zeza dhe me 3 kallashnikovë në duar. Ndërsa një nga autorët dyshohet se i ka pritur në makinë për t’u larguar nga vendngjarja.

Porta e madhe e vilës së Gentian Bejtjas ka qenë e hapur dhe autorët janë futur direkt brenda oborrit. Shënjestra e tyre ka qenë vetëm disa metra larg nga oborri pasi po merrej me disa punë mbrapa banesës së tij.
Autorët e kanë qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas janë larguar.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, që sipas të dhënave paraprake janë qëlluar nga 3 kallashnikovë.

Autorët më pas kanë hipur në automjetin tip “Land Rover” ngjyrë e bardhë dhe kanë dalë në rrugën kryesore që lidh Fushë Krujën me Kamzën.

Më pas kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku edhe kanë djegur makinën.

Sipas hetuesve dyshohet se aty i ka pritur një tjetër automjet që i ka larguar nga vendi ku i kanë vendosur flakën automjetit te dyshuar se u përdor në krim. Policia ka sekuestruar disa kamera të bizneseve të aksit rrugor ku dyshohet se ka kaluar makina e autorëve.

    Scroll to Top