Zëvendëskryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, deklaroi skt se është ekzekutuar shqiptari Faton Hajrizi, i akuzuar për vrasjen e një polici serb, mëngjesin e ditës së djeshme.
Hajrizi ishte dënuar më herët për vrasjen e një ushtari rus, u arratis një ditë më parë nga burgu, ku edhe vrau policin serb.
Mediat serbe, raportojnë se Hajrizi është vrarë në afërsi të Loznicës.
Daçiç më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ministria e Brendshme e Serbisë, po ashtu, publikoi fotografinë e Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi sot Radio Televizioni i Serbisë (RTS).
Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.
Ngjarja dyshohet se i kishte fillesat në orët e para të së enjtes, kur policia ndaloi makinën në të cilën ndodhej i dyshuari, për një kontroll rutinor.
Hajrizi u akuzua se qëlloi me armë zjarri kur u afruan zyrtarët policorë, dhe më pas u largua duke lënë të vdekur efektivin 34 vjeçar serb.
Autoritetet serbe e konsideruan ngjarjen si akt terrorist.
“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje, është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman.
Një ditë më parë, Daçiq ka thënë se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë.
Artan Hajrizi, ka thënë të enjten për mediat në Kosovë se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, ia ka marrë pasaportën.
Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviq, ka thënë për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar saktë”.
Ai ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnje -Hercegovinë, me ato të Kroacisë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Hajrizi fshihej në një pikë karburanti afër FC Trbušnica, në një pjesë të braktisur të fabrikës.
MPB-ja ka njoftuar më herët se ishte në kërkim të të dyshuarit Faton Hajrizi. Ky i fundit u arratis nga burgu i Smerkoncisë dy javë më parë, ndërsa policia e Kosovës nuk kishte informacione për vendosjen e tij.