
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një lajmi në disa media, ku shfaqeshin disa persona duke u përplasur fizikisht në Aeroportin e Rinasit.
Fillimisht u raportua se ata ishin të afërm të deputetit Xhemal Qefalia, por si policia dhe ky i fundit e kanë mohuar një gjë të tillë.
Policia thotë se sherri nisi për shkak të konfliktit për radhën mes 18 anëtarëve të një fisi që ishin nisur me pushime në Antalia dhe disa personave të tjerë për shkak të radhës në “check in”.
Policia thotë se konflikti u shua pas ndërhyrjes dhe pasagjerët vijuan udhëtimet e tyre. Sakaq, deputeti Qefalia ka thumbuar Sali Berishën, i cili e publikoi në faqen e tij në Facebook lajmin. “E kuptoj Doktor që je lodhur, por të paktën kurseja vetes këto vite që të mos merresh më me shpifje se s’ke kohë ti korrigjosh”, ka shkruar ai.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me një video të publikuar për një konflikt të ndodhur në ambientet e aeroportit të Rinasit, gjatë imbarkimit, sqarojmë se:
Më datën 06.09.2025, rreth orës 02.30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në Antalia, disa prej tyre kanë debatuar me punonjësit e check in për çështje radhe, pasi kërkonin të kalonin bashkërisht dhe pa radhë, për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin.
Nga stafi i aeroportit është kërkuar ndihma e policisë dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, konflikti është mbyllur.
Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast.
Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.
Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta.