Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, e ka shkarkuar edhe zyrtarisht prokurorin e Përgjithshëm, Andriy Kostin, pasi hetimet zbuluan se shumë zyrtarë qeveritarë dyshohet se e shmangën shërbimin ushtarak duke pretenduar rrejshëm se ishin me aftësi të kufizuara. Zelensky e nënshkroi të enjten dekretin për shkarkimin e tij, pasi Parlamenti i Ukrainës kishte votuar në favor të shkarkimit të Kostin dy ditë më parë.
Kostin kishte thënë më herët se do të jepte dorëheqje për të marrë përgjegjësi politike, pas fillimit të hetimeve për korrupsion dhe për dyshimet se zyrtarët kishin shfrytëzuar hendeqe ligjore për ta shmangur thirrjen në ushtri. Hetimet rishtazi gjetën se disa prokurorë publikë në rajonin perëndimor të Ukrainës, Hmelnitski, kishin nxjerrë dokumente në mënyrë të parregullt si persona me aftësi të kufizuar. Kjo ua kishte mundësuar atyre të merrnin beneficione të veçanta nga shteti dhe ta shmangnin shërbimin në ushtri njëkohësisht.
Ky skandal ka nxitur kritika të mëdha në vend dhe thirrje për hetime në gjithë vendin, në një kohë kur Ukraina po ka vështirësi t’i zmbrapsë forcat ruse, të cilat e nisën pushtimin e vendit në shkurt të vitit 2022. Pas njoftimit të Kostinit për dorëheqje, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal njoftoi se kishte shkarkuar disa zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë skandal.
Çështja e thirrjes në ushtri është bërë e ndjeshme në Ukrainë, pasi ushtria ukrainase po përballet me sfida të mëdha, sidomos me pakësim të numrit të trupave si pasojë e luftimeve. Rekrutuesit ushtarakë shfaqen shpesh nëpër ngjarje publike për të vëzhguar nëse është duke u zbatuar ligji kontrovers për mobilizim. Zelensky e ka pranuar vazhdimisht se ushtria ukrainase përballet me rrethana “shumë, shumë të vështira”.