Viti 2025 dhe në vazhdim do të jetë një test konvergjence për punëdhënësit dhe punëmarresit, ku asnjëra nga palët nuk duhet ta marrë si të mirëqenë posedimin e palës tjeter. Zhvillimi i kompanive në drejtim të burimeve njerezore, por edhe zhvillimi i punonjesve, tashmë është i pandalshëm, duhet bërë, duhet bërë mirë, sepse pa një forcë pune të aftë dhe në përputhje me kushtet aktuale nuk do të mund të jemi të suksesshëm, por përkundrazi do të përballeni gjithnje e më shume probleme, aq sa problemet do t’ju mërzisin vetë punën tuaj.
Viti 2025 po hyn në një periudhë kur çmimet në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë më të shtrenjta, jetesa e përdishme dhe mallrat e konsumit janë stacionuar në nivele të larta, të krahasueshme me vendet e rajonit dhe me disa shtete me të ardhura të ulëta të BE-së. Gjithkush sot pyet se çfarë do të bëhet me pagat këtë vit, a do të ndjekin ato rritjet e viteve të mëparshme? Po, sa mund të rriten? Po, a do të jemi më mirë? Ose mendojme se si mund të rregullohet raporti çmime përkundrejt paga? Sa është fuqia blerëse e pagave tona?
Natyrisht që përgjigjet e këtyre pyetjeve kërkojnë një tremujor për t’i analizuar madje edhe duke ngritur hipoteza ekonomike ndonjëherë pak abstrakte, por le ta shohim situatën në një këndvështrim të thjeshtë dhe nga puna e përditshme që ne bëjmë në EPPC Shqipëri & Kosovë çdo ditë me aktorët e tregut, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ky këndvështrim vjen nga praktika dhe përballja e përditshme ndërvite nga ku gjykojmë sesi mund të ndikohen pagat në vitin 2025 dhe madje si mund të ndikohen pozicione dhe grup pozicionesh të veçanta.
Periudhat e mëparshme, që pas vitit pandemik 2020, dhe duke filluar nga viti 2021 kanë njohur vetëm rritje të pagave dhe sipas vlerësimit tonë për këtë pesë vjeçar rritja ka qene në nivelet si më poshtë:
Pra në mënyrë të përgjithshme, një specialist i mesëm në financë në vitin 2020, paguhej neto 55,000 Lekë, sot paguhet +43%, pra 78,650 Lekë. Ajo që vlen të theksohet është se nq qoftë se pagat më lart i shohim në këndveshtrimin LEK/EURO, atëhere pagat sot duken më të larta, por fuqia e tyre blerëse brenda vendit nuk është aq e lartë sa duket në EURO.
Rritja e vërtetë në Lekë ka qenë 43% ndërsa me bazë Euron është 77%.
Natyrisht që shpjegimi i shkurtër më lart është vetëm për të treguar në shifra se çfarë ka ndodhur me pagat edhe nga ky këndvështrim, sepse ka shumë paqartësi dhe mjegull për rritjet e pagave, që shpeshherë trumpetohen si dëshirë me zgjedhje apo zemërgjerësi e punëdhënesit, publik apo privat, për të rritur pagat. Në fakt pagat janë rritur vetëm nga presioni i tregut dhe këto rritje kanë ardhur vetëm si pasojë e mungesës dhe largimit të fuqisë punëtore si për shkak të migrimit ashtu edhe të konkurrencës ndërmjet punëdhënësve sepse dikush ofron më shumë dhe e merr nga dikush tjeter që nuk ofron aq shumë, etj. Pra rritja është pasojë vetëm e “dorës së padukshme” të tregut nëpërmjet mekanizmit kërkesë – ofertë për punë.
Në fakt pagat janë rritur vetëm nga presioni i tregut dhe këto rritje kanë ardhur vetëm si pasojë e mungesës dhe largimit të fuqisë punëtore si për shkak të migrimit ashtu edhe të konkurrencës ndërmjet punëdhënësve sepse dikush ofron më shumë dhe e merr nga dikush tjeter që nuk ofron aq shumë, etj. Pra rritja është pasojë vetëm e “dorës së padukshme” të tregut nëpërmjet mekanizmit kërkesë – ofertë për punë.
Kjo analizë e të shkuarës na ndihmon të kuptojmë sesi mund të veprojë tregu edhe në të ardhmen. Shtrohet pyetja, çfarë parashikohet për vitin 2025? A do të ketë një presion tjetër në masë të gjerë nga punëkërkuesit për paga më të larta? Apo do të ketë përsëri mungesë të ndjeshme të kërkesës për punë (nuk do ketë punonjes)?
Të dhënat e vitit 2023 – 2024 tregojnë që tregu i punës po shkon drejt ekuilibrit, nga një rritje dy shifrore në 2023, zbriti në një rritje një shifrore në 2024 (që do të ishte më e ulët, nqs nuk do të bëheshin rritjet e pagave në administraten publike) dhe në vitin 2025 rritja parashikohet të jenë më e reduktuar se në 2024, pra në 2025 ajo mund të jetë në nivele mesatareje 6-8%.
Rritja mediane e vleresuar e vitit 2025 eshte rreth 7%. Ka të dhëna të buxhetuara për 2025 nga kompani të ndryshme që rritja minimale do te jetë 4% dhe maksimale deri në 12%, për sektorë dhe pozita te caktuara, por norma mediane do të jetë rreth 7%. Kjo rritje përfshin edhe rregullimet në paga të veçanta që janë mbi 15% dhe natyrisht ka edhe 1-2% rritje ose aspak, kjo në varësi të shumë kushteve dhe specifikave në çdo kompani.
Po si mund të jetohet me këto paga?
Por pyetja që çdo pagamarrës bën kur përballet sot me çmimet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë në veçanti, por edhe ne të gjithe Shqipërinë, është – po si mund të jetohet me këto paga? Po pse pagat nuk rriten me të njëjtin ritem siç rriten edhe çmimet? Ndërkohë inflacioni zyrtar është 2%, por nuk ka njeri në Shqipëri që mendon se ky 2% pasqyron realitetin. Për hir të së vërtetës, vetëm çmimi i energjisë elektrike nuk ka pësuar rritje. Keto pyetje nuk ngrihen nese do të kemi mundësinë e blerjes së apartamentit me pagë, se kjo kërkon shumë vite edhe në Europë, por as për mundësinë nëse ushqehemi dot apo jo, fundja si mund te vërë në dyshim ushqimin një person pagamarrës! Kjo është mjeruese. Por këto pyetje ngrihen për të patur paga për një jetesë normale, në përputhje me standardet në vitin 2025, dhe pagat këtë duhet të ofrojnë, jetesën normale.
E vërteta e parë është që me pagat aktuale është shumë, por shumë vështirë që të bësh një jetë normale. – A jetohet? – Po, jetohet. Por me vështërësi të mëdha dhe nën një ndikim dhe trysni shumë të madhe shoqërore, familjare, mediatike, etj, për një jetë më të mirë, jetë të cilën këto paga nuk e ofrojnë. E vërteta e dytë është që pagat nuk rriten sa herë që rriten çmimet, madje nuk janë pjesë direkte e të njëjtit treg. Paga, ose ndryshe “çmimi i punës”, është pasojë e kërkesës dhe ofertës për punë në një treg të caktuar, ndërsa çmimi i produkteve është rezultat i kërkesës dhe ofertës për atë produkt. Mesa duket kërkesa në vendin tonë për produkte të caktuara nuk është e ndikuar vetëm nga fuqia blerëse e pagamarrësve, por edhe nga fuqi blerëse të tjera, siç janë turizmi por edhe para të hyra nga aktivitete jo të ligjshme.
Turizmi ndikon drejtperdrejt në rritjen e çmimet të produkteve si hotele, restorante, qira, parkim, etj, duke i bërë këto çmime gjithmonë e më të shtrenjta për pagamarrësit vendas, ndërsa parate e pista ndikojnë shumë negativisht në çmimin e produkteve afatgjatë, siç janë pasuritë e paluajtshme, mobilimet, automjetet, etj.
Problemi i parë që vjen nga turizmi, është ai i mospërshtatjes së tregut ndërmjet pagamarrësve vendas me ata europianë, ku të dy këta konsumues takohen në të njëjtin treg. Ky fenomen neutralizohet me kalimin e kohës, sepse pagat në vend do të vazhdojnë të rriten për shkak të presionit për të punuar në këta sektorë që ndërkohë kanë kërkesë, dhe pak nga pak si pagat dhe çmimet do të përafrohen me vendet e rajonit bregdetar ku ne bëjmë pjesë.
Ndërsa problemi i dytë është thellësisht ligjor, ku vetëm forca e ligjit do të mund ta bëjë tregun e pasurive të paluajtshme, treg të vërtetë mbi parimet kërkesë – ofertë, sepse parimet e tregut nuk ndikojnë në flukse të tilla hyrëse jo ligjore, madje ato dëmtojnë ndjeshëm punën dhe përpjekiet e pjesës pagamarrëse.
Gjithesesi përtej kushteve të sipër përmendura, viti 2025 do vazhdojë të ketë përmirësim dhe pagat do të rriten në masën 6-8%, ku parashikohet që të ketë kërkesë të lartë për disa sektorë, profile por shumë e rëndësishme edhe për nivele të ndryshme punësimi, psh drejtues i lartë, i mesëm, specialist i lartë, i mesëm, fillestar, apo punë ndihmëse ose punë krahu.
Kërkesa dhe paga për drejtues të nivelit të lartë në 2025
Kërkesa për drejtues të nivelit më të lartë në çdo kompani, për drejtues në role strategjike dhe me përgjegjësi të nivelit të lartë në vendimmarrjen organizative është domosdoshmëri për të vazhduar normalisht ciklin e biznesit. Tregu sot ka nevojë për drejtues të zotë, sepse bizneset e mesme dhe të madha e kanë kaluar fazën kur mund të drejtoheshin me kushërinj, farefis, krushqi, apo drejtues bazik dhe pa njohuri të përditësuara.
Mundësitë, qarkullimi dhe prodhimi i brendshëm i Shqipërisë janë rritur në ato nivele, ku drejtuesit e kompanive nuk mund të drejtojnë më ashtu siç kanë drejtuar. Koha e tyre ka përfunduar dhe çdo vit që kalon drejtuesit e vjetër frenojnë rritjen dhe zhvillimin e kompanive. Kjo domosdoshmëri për drejtues koherent dhe të aftë i bën kompanitë të gatshme që të paguajnë shumë mirë për pozitat drejtuese.
Këto pozita nuk jane të shpeshta dhe variojnë nga kompania në kompani, e natyrisht që të gjendet punëdhënesi dhe punëmarrësi i duhur nuk është e lehtë. Por tashmë në Shqipëri ne kemi kërkesë dhe për këto pozicione, kërkesa që vite me parë ishin krejt të pa dukshme për tregun tonë të punës e që në fakt edhe sot janë pak, por të paktën kanë filluar të jenë gjithmone e më të pranishme për keto pozicione.
Çdo kompani sot ka nevojë në të paktën një ose dy pozicione si më poshtë për të punësuar rishtaz punonjës apo ndryshuar ata ekzistues, ku edhe ndryshimi i punonjësve sjell lëvizje në tregun e punës. Por cilët janë disa nga pozitat që parashikohen të rriten në 2025 krahasuar me 2024.
Punët që priten të kërkohen përgjatë vitit 2025
Viti 2024 rezultoi me një kerkesë të lartë në disa sektore dhe pozicione pune, kerkesë që në gjykojme se do të vazhdoje edhe këtë vit. Pesë kategorite që kanë patur një kërkesë të lartë në zyrën tonë janë si më poshtë ilustruar:
Paga dhe rritja për vitin 2025 për nivelet e punëve sipas aftësive në një spektër të gjerë industrish, kompanish dhe departamentesh të ndryshme.
Paga dhe kërkesa për specialistë sipas sektorëve.
Kërkesa për performancë në punë
Ky vit do të rrisë ndjeshëm vëmendjen ndaj performancës së fuqisë punëtore dhe atyre punonjësve që prodhojnë më shumë punë, më shumë cilësi, më pak dëme, etj. Prirjet për rekrutime më cilësore, menaxhimin e perfomrnacës dhe lidhjen e saj me mënyrën e kompensimit kanë filluar të kërkohen në zyrën tonë që gjatë 2023, dhe janë përforcuar ndjeshëm në 2024. Këto të dhëna na tregojnë që 2025 do të jetë në vit që shumë punëdhënës, privat ose publik, do të fillojnë të rikonceptojne të gjithë këtë zinxhir, rekrutim – performancë – shpërblim.
Gjatë periudhës 2021-2023 çdo punëdhënës ishte në emergjencë dhe në vështirësi. Kryefjala ishte “nuk kemi punonjës”, dhe ndërkohë të punësojmë këdo që na paraqitet. Si gjithmonë, vendimet që merren në situata kur je keq, nuk janë vendimet më të mira dhe për pasojë punëdhënësit punësuan këdo, pa menduar nëse volumet e punës së tyre se çfarë do të prodhohet nga këto punësime të pa përshtatshme.
Koha kaloi dhe sot jemi në situatën që punësimet e papërshtatshme janë kthyer në barrë dhe kosto, gjë që i bën punëdhënësit ose të investojnë për ri-aftësimin e tyre, ose të dalin në tregun e punës për të kërkuar profilin që iu nevojitet. Në të njëjtën kohë dhe punonjësit duhet ose të ri-aftësohen në linjë për aftësitë që kërkon koha, ose të dalin në tregun e punës dhe të kërkojnë punëdhënës të tjerë në linjë me aftësitë që mund të ofrojnë.
Viti 2025 dhe në vazhdim do të jetë një test konvergjence për punëdhënësit dhe punëmarrësit, ku asnjëra nga palët nuk duhet ta marrë si të mirëqenë posedimin e palës tjetër. Zhvillimi i kompanive në drejtim të burimeve njerëzore, por edhe zhvillimi i punonjësve, tashmë është i pandalshëm, duhet bërë, duhet bërë mirë, sepse pa një forcë pune të aftë dhe në përputhje me kushtet aktuale nuk do të mund të jemi të suksesshëm, por përkundrazi do të përballeni gjithnjë e më shume probleme, aq sa problemet do t’ju mërzisin vetë punën tuaj./Monitor.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.