JiL.al - Jeto i Lumtur

Programi i PD-së forcon ekonomikisht familjet shqiptare

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu u shpreh dje se programi i PD-së forcon ekonomikisht familjet shqiptare. Në një intervistë televizive, Bakiu foli për programin e prezantuar gjatë Kuvendit Programor të kësaj force politike. Sipas saj, “kjo është hera e parë që një forcë politike ka prezantuar kaq herët programin e saj”. Duke u ndalur edhe te propozimet konkrete për familjen, gruan dhe arsimin, Bakiu u shpreh se ato vijnë si rezultat i punës së një grupi të gjerë ekspertësh, vendas e të huaj. “Para ka, problemi është te menaxhimi i tyre. Paratë janë tek inceneratorët, tek PPP-të korruptive, te qasja 5D. Paratë janë në Shqipëri, por paratë duan t’i çojnë tek korrupsioni, t’i vjedhin. Të gjitha ato që janë thënë në fushën e arsimit janë të mundshme. Është shumë e mundshme që fëmijët të mbahen në shkollë deri në orën 4, me ushqim. Me këtë ne i japim një ndihmë edhe nënave që të jenë të punësuara dhe të forcohen ekonomikisht”, tha ajo. Po ashtu, Bakiu tha se “në programin e PD-së ka 10 mijë studentë që mbarojnë vitin e praktikës dhe ne do t’u japim pagesë”. “Gjithashtu është hera e parë që në një program qeverisës jepet një shpërblim për familjen shqiptare, për çdo fëmijë, fëmijën e parë dhe të dytë nga 2 mijë euro dhe fëmija i tretë 20 mijë euro. Kjo është një arritje që nuk ka ndodhur asnjëherë dhe do të jetë e realizueshme”, tha Bakiu.

Scroll to Top