Protesta e opozitës do të dominohet nga diskutime të personave që i përkasin shoqërisë civile si edhe botës së artit.
Fjalimet e vetme politike do të jenë ato të Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, fjala e të cilit do të përcillet direkt nga banesa e tij, sikundër e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Belind Këlliçi tha në një intervistë për RTSH-në se protesta do të ketë si kërkesë lirimin e liderit të opozitës, Berishës.
“Kushdo që mund të ketë ndjesi nga më të ndryshmet për Liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha, duhet të kuptojë se sot që flasim jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s, i cili Kryetarin e opozitës prej 191 ditësh e ka në arrest shtëpie si masë politike, pa prova dhe fakte,” tha anëtari i Kryesisë së PD-së Belind Këlliçi.
Gjithashtu opozita do të kërkojë, tha ai, krijimin e një qeverie teknike që do t‘i hapë rrugë zgjedhjeve të lira.
“Kryeministri Edi Rama ka futur duart në të gjitha proceset zgjedhore, ka vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë duke tjetërsuar vullnetin tyre. Ndaj qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira janë kërkesë e panegociueshme e opozitës,” tha Belind Këlliçi.
Protesta sipas tij do të jetë paqësore, por nuk përjashtohen aktet e mosbindjes civile.
“Demokratët përherë kanë organizuar protesta paqësore. Akte të mosbindjes civile ka patur gjithmonë në protesta, megjithatë janë qytetarët ata që do të vendosin. Për një gjë jam i bindur, se do të ketë shumë ngjyra kjo protestë,” tha Këlliçi.
Në protestë do të ketë edhe denoncime të atyre që opozita i ka quajtur mega-afera korruptive, sikundër eshte ajo e incineratorëve apo skandali i Spitalit të Onkologjikut.