
Partia Demokratike ka siguruar deri tani 14 mandate në qarkun e Tiranës, me rreth 30% të kutive të votimit të numëruara.
Kjo do të thotë se, përveç 12 emrave të listës së mbyllur, dy deputetë të tjerë do të zgjidhen nga lista e hapur përmes votës preferenciale.
Një zhvillim i rëndësishëm lidhet me fatin politik të Ilir Metës. Presidenti i Partisë së Lirisë, aktualisht në paraburgim, rrezikon seriozisht të mos bëhet pjesë e Parlamentit të ri, për shkak të rezultatit të dobët të koalicionit në Tiranë dhe numrit të ulët të votave personale që ka marrë deri tani.
Duke iu referuar të dhënave nga Vorë dhe Njësia nr.10, Meta është larg pozicioneve të para në listën e hapur.
Në Vorë ai ka marrë vetëm 94 vota, duke u renditur i 11-ti në listë, ndërsa në Njësinë 10 ka marrë 246 vota, duke u renditur i treti.
Shanset bien akoma kur llogarit se Partia Mundësia renditet e treta me 7523 vota në Tiranë ose 4.93 %, duke i marrë një mandat Partisë Demokratike.
Nga numërimi i deritanishëm, projeksioni i ndarjes së mandateve në këtë qark është: PS, 19 mandate; PD 13 mandate, Mundësia 2 mandate, Shqipëria bëhet 1 mandat, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe PSD 1 mandat.
Nëse ky trend vijon edhe në zonat e tjera të Tiranës, mundësitë që Ilir Meta të zgjidhet deputet janë minimale.