Sulmi i Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, në ditën e Krishtlindjes, ka shkaktuar pasiguri të mëtejshme, duke lënë mijëra qytetarë pa furnizim me energji dhe ngrohje, ndërsa lufta ka hyrë në dimrin e saj të tretë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë sulm si “çnjerëzor”, duke theksuar se ishte hera e trembëdhjetë që Rusia sulmonin rrjetin elektrik të Ukrainës këtë vit.
Sulmet, që kanë përfshirë shpërthime të mëdha në qytete të ndryshme të Ukrainës, kanë shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme. Në rajonin e Dnipropetrovsk, një person humbi jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën, ndërsa në Kharkiv, qyteti më afër kufirit me Rusinë, së paku shtatë sulme me raketa shënjestruan zonat e banuara dhe infrastrukturën civile, duke lënë gjysmë milion familje pa ngrohje për shkak të temperaturave të ulëta.
Ky sulm i përshkallëzuar i Rusisë ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës vjen ndërsa vendi është duke kaluar një dimër të ashpër, dhe dëmi në rrjetin energjetik është një përpjekje e vazhdueshme e Rusisë për të minuar mbështetjen e qytetarëve dhe për të shkaktuar probleme në mbijetesën e përditshme të ukrainasve. Pas këtij sulmi, Kievi ka ndërmarrë masa për të stabilizuar rrjetin dhe ka vendosur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.
Përveç sulmeve ndaj infrastrukturës, forcat ukrainase raportuan gjithashtu një sulm të suksesshëm ndaj një poste komanduese ruse në rajonin e Kursk, që tregon se Ukraina po vazhdon të zhvillojë operacione ushtarake në territore të pushtuara nga Rusia.