Qëlloi me armë drejt tre grabitësve, 30 shqiptarë i shkojnë në shtëpi 60-vjeçarit italian

Jil
Jil
4 Min Read

Tre ditë më parë, gjatë një shkëmbimi zjarri brenda vilës së tij në Foria di Centola – në Cilento në provincën e Salernos – ai kishte plagosur një nga tre hajdutët, të cilët po përpiqeshin të grabitnin para dhe bizhuteri nga kasaforta e tij.

Mbrëmjen e të hënës, sipërmarrësi 60-vjeçar, pronar i një kompanie ndërtimi, i cili mori pushkën e tij të gjuetisë dhe hapi zjarr në mbrojtje të familjes dhe të pronës, gjeti 30 shqiptarë – bashkëkombës të hajdutit të plagosur 20-vjeçar – poshte shtëpisë së tij, të cilët kërkonin një përballje me italianin dhe, pothuajse me siguri, kishin qëllime hakmarrëse.

Grupi i shqiptarëve, të gjithë nga provinca e Kazertës, mbërritën në Cilento me makina të fuqishme, raportojnë mediat italiane. Ata, të cilët kërkonin një takim ballë për ballë me 60-vjeçarin, u larguan vetëm pas mbërritjes së policisë.

Që nga mbrëmja e kaluar, dy patrulla të Karabinierëve kanë ruajtur vilën e biznesmenit për të shmangur një hakmarrje të mundshme.

Më 22 qershor, në mes të natës, një bandë shqiptarësh e përbërë nga të paktën tre persona kishin shënjestruar dy shtëpi të izoluara në fshatin Cilento.

Pas grabitjes në shtëpinë e parë, ata kishin hyrë në të dytën. Por në katin e sipërm, ndërtuesi dhe gruaja e tij po flinin.

Burri dëgjoi zhurmat, mori një pushkë gjuetie dhe zbriti poshtë për të kontrolluar se kush kishte hyrë në shtëpi.

Një shkëmbim zjarri filloi me hajdutët, ku një prej grabitësve u plagos dhe ra në tokë, ndërsa të tjerët arritën të shpëtonin, duke u larguar.

Pas mbërritjes së policisë dhe ambulancës, shqiptari i plagosur – një 20-vjeçar – u dërgua në spitalin në Vallo della Lucania dhe iu nënshtrua një operacioni delikat kirurgjikal: plumbi i pushkës e goditi atë midis gjoksit dhe shpatullës.

Të nesërmen, ai u dërgua me helikopter në spitalin Cardarelli në Napoli, ku është ende i shtruar në gjendje të rëndë.

Një hajdut i dytë, 23 vjeç, gjithashtu me kombësi shqiptare, thuhet se është plagosur. Por ai është ende në arrati.

Që prej të hënës (24 qershor), disa të afërm të tyre kanë mbërritur nga provinca e Kasertës (Napoli), të cilët po ndihmojnë Karabinierët dhe Mbrojtjen Civile në kërkim të anëtarëve të tjerë të grupit.

Telefoni i tij “smartphone” ishte aktiv për herë të fundit pranë fshatit të vogël në Bulgheria. Por ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Hetimet e Karabinierëve, të koordinuara nga Zyra e Prokurorit Publik të Vallo della Lucania, vazhdojnë.

Italiani, i cili qëlloi me armë, tani po hetohet për plagosje të rëndë, ndërsa ndaj të riut shqiptar, që ndodhet në spital, është hapur një hetim nga prokuroria, si i dyshuar për tentativë grabitjeje, sikundër dhe bashkëpunëtori tjetër në arrati. Ndërkohë, një pjesë e mallrave të vjedhura nga shqiptarët, është sekuestruar nga policia.

Por gjithsesi tensioni mbetet i lartë. Prefektura po vlerëson forcimin e masave të sigurisë në zonë për të parandaluar incidente të mëtejshme.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania