Rama: I kemi të fituara zgjedhjet, prandaj nuk bëjmë premtime!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Elbasan- Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte në Elbasan, ku foli për transformimin e Parkut Metalurgjik nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër.

Me këtë rast, ai pati një diskutim me sipërmarrës nga ky qytet dhe, në bashkëbisedim me një prej tyre, Rama u shpreh se ai nuk bën premtime elektorale pasi zgjedhjet i ka të fituara.

Rama tha se premtime bëjnë vetëm ata që duan t’i fitojnë zgjedhjet.

“Ne zgjedhjet i kemi fituar, nuk kam ardhur për fushatë elektorale këtu. Dëgjo këtu, premtime elektorale bëjnë ata që duan t’i fitojnë zgjedhjet. Në zgjedhjet i kemi fituar, prandaj nuk bëjmë premtime elektorale,” i tha Rama sipërmarrësit nga Elbasani.

Duke u ndalur te Parku Metalurgjik, Rama tha se është një potencial i jashtëzakonshëm, dhe për ta transformuar, duhet krijuar një ‘aleancë’ me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar zgjerimin e tyre, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në këtë territor.

Kreu i qeverisë tha se Parku së bashku me Auto Moto Parkun, do të jetë një pika që do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin.

“Në transformimin e kombinatit, ose më saktësisht të territorit të kombinatit metalurgjik, në një park kombëtar industrial, kemi një potencial të jashtëzakonshëm. Për këtë, duam të mbështetemi në një aleancë me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar zgjerimin tuaj, por edhe për të krijuar një koncept të ri për administrimin e jetës së përditshme në këtë territor, i cili është përqendruar në Elbasan. Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh, të huaj dhe vendas, për të përcaktuar drejtimin e master planit. Ky territor është i madh dhe ofron mundësi për të imagjinuar shumë projekte. Ideja kryesore është që ky park të bëhet një destinacion për të gjithë, duke u integruar me automotorparkun, i cili do të lidhë Tiranën dhe Elbasanin, duke bërë Elbasanin një pjesë të metropolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Distanca për të ardhur këtu do të jetë po aq e shkurtër, ose edhe më e shkurtër, se sa distanca që të merr për të kaluar nga njëra anë e Tiranës në tjetrën. Ky projekt ka potencialin të hapë kryeqytetin dhe të sjellë një energji të re, duke i lidhur këto dy pika të rëndësishme, Parkun e Kombinatit dhe Automotorparku”, tha Rama.

Scroll to Top