Rama: Kritikat ndaj drejtësisë janë për të ndihmuar jo për ta sulmua

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se kritikat e tij nuk janë sulm ndaj organeve të drejtësisë, por qëllimi i tij është të ndihmojë drejtësinë të konsolidohet dhe të funksionojë më mirë.

Rama u shpreh se një drejtësi e pavarur, por që nuk është e konsoliduar dhe nuk respekton të drejtat dhe liritë kushtetuese, mund të kthehet në një kërcënim për demokracinë dhe shoqërinë. Ai theksoi se për një demokraci të shëndetshme, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë të ndarë dhe të barabartë përpara ligjit dhe gjykatës.

Në intervistën e tij, kryeministri iu drejtua gjithashtu diasporës shqiptare, duke i bërë thirrje të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe të kontribuojnë në forcimin e demokracisë në vend.

Edi Rama: Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë.

E di ti, Gjergj ku ndryshon një gjyq në diktaturë, në autokraci apo një gjyq në demokraci?

Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit.

Scroll to Top