Nga Piaca del Popolo në Romë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjatë një fjalimi në fushatën elektorale, i ka sfiduar kundërshtarët e së majtës me planet e saj për të mposhtur trafikantët e qenieve njerëzore. Pak ditë para se të rivizitojë vendin tonë ku do të ndjekë nga afër punimet në qendrat e pritjes së emigrantëve në Portin e Shëngjinit dhe ne Gjadër, Meloni ka theksuar se marrëveshja me Shqipërinë është shembull për gjithë vendet e Bashkimit Europian në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm.
“Tani po e kuptojnë edhe në Europë, ku tashmë Italia ka shënuar një ndryshim të ritmit të emigracionit. Tani shumë shtete po marrin shembullin tonë kur ne propozojmë marrëveshje me vendet e Afrikës veriore. Po na marrin si shembull edhe kur propozojmë zgjidhje inovative si ajo e marrëveshjes me Shqipërinë”, tha kryeministrja italiane.
Dhe kur përmend Shqipërinë, Meloni nuk harron homologun Edi Rama.
“Ti dërgojmë një përqafim kryeministrit socialist shqiptar Edi Rama që po e masakrojnë vetëm se donte të ndihmonte Italinë”, u shpreh ajo.
Duke thumbuar sërish të majtën italiane Meloni shprehet se ankesat e tyre në Bashkimin Europian për marrëveshjen me Shqipërinë kanë qenë reklama më e mirë për suksesin e këtij pakti.
“Janë ankuar tek çdo lider i mundshëm europian duke ju thënë se marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët e paligjshëm është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Janë ankuar tek të gjithë. Dhe e dini se cili është rezultati? 15 nga 27 vendet e Bashkimit Europian, pra shumica, kanë kërkuar nga Komisioni Europian që të kopjojnë modelin e marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë”,
Meloni të mërkurën do të ndërpresë për disa orë fushatën elektorale për zgjedhjet e Parlamentit Europian, për t’u nisur drejt qendrave të pritjes së emigrantëve në Portin e Shëngjinit dhe në Gjadër. Fakti që Meloni ka preferuar të fokusohet në Shëngjin e Gjadër, shihet si një mesazh i qartë politik që ve në dukje edhe njëherë rëndësinë që qeveria e saj po i kushton çështjes së flukseve emigratore dhe menaxhimit të tyre.
Koha e vizitës në tokën shqiptare është po aq e rëndësishme. E vendosur vetëm tre ditë para zgjedhjeve, vizita e Melonit përfaqëson një mundësi të fundit për kryeministren që të konsolidojë mesazhin e saj për votuesit, jo vetëm në Itali, por edhe në komunitetin shqiptar.
Klan News