JiL.al - Jeto i Lumtur

BIRN: Rasti Ndreca si simbol i antishtetit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Më 19 tetor, kryeministri Edi Rama pati një nga shpërthimet e tij të rëndomta të protestës kundër kritikave, të cilat ai i konsideron si shumë të padrejta në lidhje me partitizimin e tejskajshëm të administratës publike.

“E trajtojnë administratën publike si një vend ku nuk ka njerëz, por vetëm dele që janë mbledhur nga kopetë e partive, domethënë, një tmerr,” deklaroi Rama para se të deklarohej krenar për çfarë ka arritur.

Për këdo që e ka harruar, ndërtimi i një administrate publike me qëllim ndarjen e shtetit nga partia në pushtet ka qenë një nga dymbëdhjetë kushtet që Bashkimi Evropian vendosi këtu e pesëmbëdhjetë vjet të shkuara si parakusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe miratimi me kompromis në vitin 2012 i një ligji për administratën publike, – ku sanksionohet se një numër postesh të larta publike, plotësohen në bazë të kritereve profesionale, (nënkupto: me konkurs të hapur) dhe mbrohen nga shkarkimet e padrejta nga puna duke i garantuar shpërblime të majme apo kthim në detyrë me vendim gjykate pas pushimit të padrejtë, – u miratua nën presionin e Brukselit dhe me kompromis mes PD-së dhe PS-së.

Më shumë se një dekadë më pas, Komisioni Evropian në Pozicionin Negociues [link] veçon si problem Reformën e Administratës Publike dhe vëren se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në këtë fushë. Termi mesatarisht i përgatitur është në gjuhën e BE-së një nga pesë shkallët e vlerësimit të gjendjes së një vendi kandidat në një fushë të caktuar. Shkalla e parë është Hapat e parë, ndërsa shkalla më e lartë, pra pika kur vendi kandidat është gati për anëtarësim, është I përparuar. Nga gjendja aktuale Shqipëria duhet të kalojë në shkallën Nivel i mirë dhe pastaj në Nivel i përparuar.

Të jesh në një gjendje të caktuar në rrugën e integrimit Evropian është një gjë dhe drejtimi dhe shpejtësia e lëvizjes është një gjë tjetër. Me pak fjalë, në mënyrë që të përdorim kutin e Brukselit për përgatitjen e administratës, na duhet të shohim se ku ka qenë Shqipëria, fjala vjen, në ditën që Edi Rama mori pushtetin dhe ku është sot. Dhe konkluzioni është që jemi në vendnumëro. Në Raportin e Progresit të vitit 2015, kohë kur ky sistem pikëzimi filloi të përdorej nga zyrtarët e Brukselit, vlerësimi për gjendjen e administratës civile në Shqipëri ishte nivel mesatarisht i përgatitur. [Link] Ky është i njëjti vlerësim me gjendjen aktuale. Pra, ndërsa Rama pretendon se niveli i administratës së tij është që të çuditemi fare se sa mirë, diçka që atë e bën “krenar”, dukshëm ky pretendim nuk ndahet nga Bruseli.

Këtë historinë e mungesës së progresit në zhvillimin e një administrate civile profesionale, jopartiake dhe llogaridhënëse mundet ta kuptojmë më mirë nga karriera e deputetit socialist Plarent Ndreca duke parë jetëshkrimin e tij zyrtar, një tregues kuptimplotë se sa pak respekt kryeministri ka treguar për profesionalizmin dhe karrierën në shërbimin civil.

Sipas jetëshkrimit të deputetit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, [Link], Ndreca u bë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet dhe katër vjet më vonë u bë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Në vitin 2019, ai u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aktualisht ai pritet të merret i pandehur në lidhje me problemet e vërejtura në disa procedura tenderimi, probleme të identifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të denoncuara në SPAK.

Për këdo që nuk ka pasur rastin të njohë strukturën e shtetit shqiptar dhe të shteteve të së drejtës në përgjithësi, posti i Sekretarit të Përgjithshëm të një institucioni është pozicioni më i lartë që mund të arrijë një nëpunës civil. Pra, një post karriere të cilin duhet ta mbajë një zyrtar që ka kaluar shumë shkallë në shërbimin civil në atë institucion që ka shërbyer. Me pak fjalë, dikush që ka bërë karrierë si nëpunës civil në Ministrinë e Arsimit, pas dekadave të shërbimit mundet, falë meritave, të arrijë në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni. Dhe Sekretari i Përgjithshëm i takon anës jopartiake të një institucioni qendror si memorie institucionale dhe si post i siguruar falë shërbimit korrekt në detyra të tjera më të ulëta. Pra ky është zyrtari që, ndërsa ministri dhe zëvendësministrat dhe këshilltarët e ministrit ndërrohen në varësi të rezultatit të zgjedhjeve, Sekretari i Përgjithshëm mbetet.

Posti i Sekretarit të Përgjithshëm është gjithashtu pozicioni që mbulon prokurimet publike. Pra, nëse vendimi i qeverisjes politike është që vendi të priorizojë, fjala vjen, një sektor të ekonomisë me investime apo një punë të caktuar, zbatimi i këtyre politikave bëhet nga profesionistë jopartiakë, të cilët, në funksion të zbatimit të politikave, kryejnë procedurat e tenderimit.

Tani Rama, para se të në ankohet se po i shajmë administratën si një “kope delesh” apo një “tmerr”, (me thënë të drejtën, unë mund të përdor fjalë ku e ku më të papëlqyeshme se sa këto për ta përshkruar), duhet të na shpjegojë se me çfarë eksperience të mëparshme në sektorin e arsimit, Ndreca u bë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, me çfarë eksperience të mëparshme u bë supereksperti i çështjeve të turizmit dhe mjedisit apo supereksperti i punëve të brendshme dhe të rendit publik. Mbi të gjitha, Rama është i lutur të na shpjegojë procesin përzgjedhës të Ndrecës në secilin nga këto pozicione, të dhëna të tilla si data e hapjes së konkursit, pjesëmarrësit, kriteret e vlerësimit dhe vendimmarrjen mbi vlerësimin, për të na lënë të kuptojmë se pse nuk janë Ndrecët socialistë “tmerri” dhe “kopeja e deleve” për të cilën ai pretendon se po merr kritika të pamerituara./ BIRN

Scroll to Top