Masud Pezashkian u zgjodh presidenti i ri i Iranit, duke fituar 53.7 për qind të votave në zgjedhjet e balotazhit të 5 korrikut.
Pezeshkian, një ish kardio-kirurg, e cili shquhet për filozofinë e tij politike reformiste, mundi ultrakonservatorin Saeed Jalili, i cili mori vetëm 44.3 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Iranit.
Pjesëmarrja në votimet e balotazhit ishte 49.8 për qind, nga 40% që ishte në raundin e parë.
Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar i Parlamentit mes viteve 2016 dhe 2020.
Politikani reformist ishte ndër kritikët më të mëdhenj të regjimit iranian në lidhje me vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini më 2022, pasi u tortuarua në paraburgim nga autoritetet se nuk kishte veshur si duhet hixhabin.
Asokohe në mënyrë këmbëngulëse Pezeshkian kërkoi sqarim nga autoritetet për rastin, i cili nxiti protesta të shumta në Iran.
Së fundmi, ai ka deklaruar se “Irani do ta respektojë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave”.
Këto zgjedhje u thirrën për shkak të vdekjes së ish presidentit iranian Ebrahim Raisit më 19 maj, pasi helikopteri më të cilin udhëtonte u rrëzua, teksa kthehej nga një takim me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.