Rënia e euros, qeveria kursen 40 mln euro nga interesat e borxhit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Zhvillimet në kursin e këmbimit më rënie të vazhdueshme të euros në këmbim të lekut po e dëmtojnë ndjeshëm ekonominë dhe sidomos prodhimin për eksport, por në anën tjetër kjo situatë i ka ardhur mjaft në ndihmë qeverise për të ulur kostot e borxhit të jashtëm.

Ministria e Financave ka përllogaritur që gjatë vitit 2024 ka kursyer rreth 4 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro nga pagesat e interesave të borxhit të jashtëm si rrjedhojë e kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit ka qenë një nga faktorët themelore për uljen e borxhit në krahasim me PBB-në tre vitet e fundit.

Në ditët e fundit të vitit 2024 një euro u këmbye 98,1 lekë nga 123 lekë që ishte në janar të vitit 2021. Në tre vite euro ka humbur 20 pikë në këmbim lekun. Në tremujorin e tretë të vitit 2024 borxhi i në euro ishte 78,2 për qind e borxhit të jashtëm (4,5 mld euro).

Qeveria gjithnjë në këto tre vitet e fundi ka mundur të blejë me lirë euron nga sa e ka përllogaritur në buxhetin e shtetit në fillim viti. Nënçmimi i euros ndaj lekut shumë me tepër se pritshmëritë e kanë lehtësuar qeverinë nga barra e borxhit, por nga ana tjetër të ardhurat e individëve dhe bizneseve në euro kanë rënë ndjeshëm tre vitet e fundit.

Si rrjedhojë edhe e zhvillimeve në kursin e këmbimit, por edhe e stabilitetit fiskal, Ministria e Financave pret që borxhi publik të ulet në rreth 55% të PBB-së në terma relativë në 2024, teksa në buxhetin afatmesëm pritej që borxhi në raport me PBB-në të ishte 58% e PBB-së.

Ministria e Financave në terma afatmesëm pret që niveli i borxhit në raport me PBB -në do të vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, ku konkretisht gjatë vitit 2024 niveli i borxhit pritet të ulet me rreth 2.3 pikë përqindje (nga 57.5% në 55.2%), gjatë vitit 2025 pritet të ulet me 0.4 pikë përqindje (në 54.8%) dhe gjatë vitit 2026 pritet të ulet me 0.8 pikë përqindje.

Më 2025 deficiti buxhetor përllogaritet në rreth 68.05 mld lekë (2.6% e PBB). Huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 73.47% të deficitit (50 mld lekë. Eurobondi (komponent i huasë afatgjatë në financimin e huaj) pritet të emetohet me një vlerë indikative prej 65 mld lekë (600 mln Euro).

Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2025, MF synon kryerjen e ankandeve për blerjen mbrapsht të titujve qeveritarë referencë që maturohen në vitin 2026 me qëllim uljen e riskut të ri-financimit të atij viti./Monitor

Scroll to Top