
Karabinierët italianë kanë arrestuar dy shqiptarë të moshës 34 dhe 22 vjeç, të akuzuar për rrëmbim në bashkëpunim dhe plagosje, të një të mituri 17-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar dhe u shoqërua me skena të dhunshme, teksa autorët rezultojnë me precedentë penalë në fushën e drogës, të njohur si trafikues të saj. Prokuroria e Milanos kishte ndjekur linjën e hetimeve të rastit, pas denoncimit të bërë nga i mituri për fakte të plagosjes personale dhe rrëmbimit, të ndodhura më 1 prill të vitit të kaluar.
Falë dëshmive të mbledhura, shikimi i imazheve nga sistemi i mbikëqyrjes video dhe aktivitetet e përgjimit të telefonit, ishte e mundur të konstatohej që viktima ishte ndaluar papritmas në një rrugë dytësore nga dy autorët. I mituri ishte goditur me shkop bejsbolli dhe kërcënuar deri me armë zjarri. Synimi i tyre ishte që në fakt të bënin të miturin të “rrëfente” se i kishte dëmtuar makinën dhe kishte vjedhur pak kokainë që mbahej brenda automjetit.
Karabinierët në momentin e ekzekutimit të masës së kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, kanë gjetur afërsisht 250 gramë kokainë dhe 5000 euro para CASH. Dy shqiptarët po mbahen të izoluar në paraburgimin e San Vittore në Milano, me urdhër të gjykatës.