
SPANJE – Bota e çiklizmit është zhytur në zi këtë të shtunë, pasi një çiklist junior ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë gjatë etapës së dytë të Vuelta Internacional Júnior Ribera del Duero.
Sipas njoftimit të organizatorëve, ngjarja ndodhi në mes të etapës, kur grupi po hynte në zonën e El Amogable dhe pas një kryqëzimi me rrugën N-234 ndodhi një rrëzim masiv me përfshirjen e shumë garuesve.
Për shkak të mungesës së ambulancave në vendngjarje për të ofruar ndihmën e parë, drejtuesit e garës vendosën të pezullonin etapën. Më vonë, organizata konfirmoi lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të një prej çiklistëve që po konkurronin në itinerarin mes Langa de Duero dhe Laguna Negra de Vinuesa.
Në komunikatën zyrtare, organizatorët shprehën ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e sportistit, duke e cilësuar këtë humbje një goditje të rëndë për çiklizmin dhe për garën. Ky incident tragjik kujton edhe një herë rrezikun që mbart ky sport dhe sakrificat që bëjnë të rinjtë në ndjekje të ëndrrës së tyre sportive.