Kundërshtarët e Amerikës po shtojnë përpjekjet për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Seldin njofton për zgjerimin e operacioneve të sofistikuara që synojnë të ndikojnë tek votuesit amerikanë. Sipas autoriteteve amerikane pjesa më e madhe e këtyre përpjekjeve vijnë nga Rusia dhe Irani.
Në garën për president në Shtetet e Bashkuara, përpjekja për të fituar votues po vazhdon me intensitet të plotë.
“Ne do të shpëtojmë ekonominë. Ne do të shpëtojmë familjet e shtresës së mesme”, thotë kandidati republikan për president Donald Trump.
“Ka ardhur koha të fillojmë një kapitull të ri”, thotë Kamala Harris kandidatja demokrate për presidente.
Por garës zgjedhore, sipas zyrtarëve amerikanë…i është bashkuar edhe Rusia.
“Rrethi i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, duke përfshirë Sergey Kiriyenko-n, drejtojnë fushata dezinformimi, si pjesë e një programi për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara”, tha Merrick Garland, Prokuror i Përgjithëm i Shteteve të Bashkuara.
Një pjesë e skemës, sipas akuzave amerikane, përfshin imitimin e dhjetëra faqeve me lajme të internetit për të ndikuar në mënyrën se si votuesit amerikanë mendojnë për çështje kritike.
Pjesa tjetër përfshin median ruse RT, të mbështetur nga shteti rus, e cila akuzohet se i ka dërguar pothuajse 10 milionë dollarë një kompanie mediatike me bazë në Shtetet e Bashkuara.
“Kanë kryer pagesa prej miliona dollarësh për amerikanët për të përcjellë mesazhin e Kremlinit për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe për të minuar demokracinë”, thotë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Rusia i mohon akuzat.
“Kjo është rusofobi, është sulm ndaj lirisë së fjalës dhe diskriminim. Këto janë lojërat më të ndyra amerikane për manipulim gjatë zgjedhjeve”, thotë Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
Zyrtarët amerikanë i hedhin poshtë këto deklarata si qesharake.
Një vlerësim i kundërzbulimit amerikan i bërë në fillim të këtij muaji e quan Rusinë “kërcënimin më aktiv të ndikimit të huaj” për zgjedhjet që synon të rrisë mundësitë për fitore të ish-presidentit Donald Trump.
Irani gjithashtu është i përfshirë.
“Ne kemi vërejtur një aktivitet gjithnjë e më agresiv iranian gjatë këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin aktivitetet për të dëmtuar fushatën e ish-presidentit Trump dhe për të shmangur një rezultat zgjedhor që Irani e vlerëson kundër interesave të tij”, tha prokurori i përgjithshëm amerikan Garland.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Kina gjithashtu ka zhvilluar një fushatë të vogël në rrjete sociale që synon të dëmtojë kandidatët që mendohet se janë armiqësorë ndaj Pekinit.
Nuk është e sigurt nëse përpjekjet parandaluese amerikane po funksionojnë.
“Unë nuk mendoj se deri më tani kjo është kuptuar sa duhet nga shumica e votuesve amerikanë si një çështje me rëndësi, por është me të vërtetë e rëndësishme që votuesit të kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se si po shfrytëzohen”, thotë Margaret Talev nga Universiteti i Sirakuzë.
Kjo iu jep shumë arsye amerikanëve për të menduar për rreziqet ndërsa përgatiten të shkojnë në qendrat e votimit./VOA