JiL.al - Jeto i Lumtur

Rusia bombardon Kharkivin, 5 të vrarë dhe 47 të plagosur

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një sulm rus me bomba me drejtim në qytetit Kharkiv, në pjesën verilindore të Ukrainës, goditi një ndërtesë banimi dhe një park fëmijësh, duke vrarë 5 persona dhe plagosur 47 të tjerë, sipas zyrtarëve.

Kryebashkiaku Ihor Terekhov njoftoi në platformën Telegram se një fëmijë ishte vrarë në park. Tre persona u vranë në ndërtesën 12 katësh banimi, që u përfshi nga zjarri si rezultat i sulmit, tha ai.

Rreth 20 persona janë në gjendje të rëndë, sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov. Një pjesë e ndërtesës banesore ishte djegur, ndërkohë që katet e larta të ndërtesës ende po digjeshin. Disa vetura të parkuara para ndërtesës po ashtu ishin djegur.

Shërbimet e emergjencave dhe ekipet e shpëtimit nxituan në vendin e ngjarjes për t’u ofruar ndihmë të mbijetuarve. Trupi i një viktime, i mbuluar me një qilim, qëndronte në tokë para ndërtesës, i rrethuar nga forcat policore.

Banorë të të gjitha moshave, disa të përgjakur dhe të hutuar, ishin ulur në stolat e parkut apo po qëndronin aty pranë ndërsa punonjësit e ndihmës së parë po trajtonin plagët e tyre.

Autoritetet nuk dhanë detaje se si vdiq viktima e pestë pasojë e sulmeve, që goditën katër lagje të qytetit.

Kharkivi ka qenë në shënjestër të bombardimeve të ashpra ruse që nga fillimi i luftës, ndonëse në javët e fundit intensiteti i sulmeve është ulur, ndoshta për shkak të sulmit të befasishëm të forcave ukrainase në rajonin e Kurskut, në brendësi të Rusisë./ VOA

Scroll to Top