Nga sot, 1 janar 2025, ndërpriten të gjitha furnizimet me gaz rus nëpërmjet Ukrainës në Evropë. Këtë e ka bërë të ditur vetë kompania ruse e energjisë Gazprom me një deklaratë zyrtare pas dështimit të rinovimit të marrëveshjes së mëparshme me Kievin e nënshkruar në vitin 2019 dhe skaduar në mesnatë.
“Furnizimi me gaz rus nëpërmjet Ukrainës u ndërpre në orën 8 të mëngjesit me orën e Moskës”, tha Gazprom këtë mëngjes, duke ia vënë fajin drejtpërdrejt qeverisë së Kievit, e cila kishte kohë që kishte shpallur synimin e saj për të mos rinovuar paktin pas pushtimit rus dhe luftës.
Marrëveshja me kompaninë ukrainase Naftogaz parashikonte transitin e 40 miliardë metra kub gaz rus në vit përmes Ukrainës.
“Meqenëse Kievi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të qartë të zgjasë marrëveshjet në këtë drejtim, ne kemi humbur sot aftësinë teknike dhe ligjore për të transituar gazin përmes Ukrainës,” shpjegoi Gazprom.
Evropa, nga ana e saj, thotë se është e gatshme të mbështesë këtë mungesë fluksesh përmes rrugëve të tjera alternative.
“Ndikimi në sigurinë e furnizimit të BE-së do të jetë i kufizuar,” theksoi një zëdhënëse e Komisionit Evropian, duke shpjeguar se infrastruktura evropiane është mjaft fleksibël për të garantuar furnizimet me gaz jo-rus. Mungesa e furnizimeve me gaz rus, megjithatë, tashmë ka shkaktuar shqetësim në disa vende si Sllovakia, sipas të cilave kostoja për Bashkimin Evropian mund të arrijë në 120 miliardë euro në 2025-2026 për shkak të çmimeve më të larta të gazit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.