Presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi falje homologut të tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, për rrëzimin tragjik të një avioni pasagjerësh të Azerbajxhanit në hapësirën ajrore ruse. Incidenti ndodhi të mërkurën pranë qytetit Aktau në Kazakistan dhe la pas 38 viktima.
Sipas Kremlinit, avioni ishte devijuar nga trajektorja e tij për shkak të sulmeve me dronë nga Ukraina në disa qytete ruse, si Grozni, Mozdok dhe Vladikavkaz. Në përpjekjet për t’i zmbrapsur këto sulme, sistemi i mbrojtjes ajrore ruse goditi gabimisht avionin. Putin shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, gjatë një telefonate të bërë me kërkesën e tij.
Presidenti Aliyev, në një deklaratë nga zyra e tij, tha se avioni ishte goditur nga një objekt i jashtëm në hapësirën ajrore ruse, çka shkaktoi humbjen e kontrollit dhe devijimin në Kazakistan. Hetimet paraprake të autoriteteve azerbajxhanase konfirmuan se mbrojtja ajrore ruse ishte përgjegjëse për incidentin.
Avioni Embraer EMBR3.SA po fluturonte nga Baku për në Grozni në Çeçeni, kur u detyrua të devijonte qindra kilometra në Detin Kaspik përpara se të përfshihej nga flakët dhe të rrëzohej.