JiL.al - Jeto i Lumtur

Sali Berisha i drejtohet gjykatës së Strasbugut

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas gjashtë muajsh në “arrest shtëpie” dhe refuzimit të revokimit të masës së sigurisë nga gjykatat shqiptare, i është drejtuar gjykatës së Strasburgut. Me anë të një kërkesë-padie, avokatët e Berishës, i kërkojnë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që të ndërhyjë për heqjen e masës “arrest shtëpie”, i cili sipas tyre është një vendim i pabazuar në ligj.

Në kërkesë padinë e depozituar, Berisha i ka renditur gjykatës së Strasburgut të gjitha përpjekjet ligjore që bëri në Shqipëri, me kërkesa të vazhdueshme për zhbërjen e masave shtrënguese përfshi edhe kërkesën për ta lejuar të shkonte në parlament. Por gjykatat sipas mbrojtjes i shkelën këto të drejta, jo vetëm duke mos e dëgjuar por edhe duke i zbardhur vendimet ngadalë. Në mbështetje të pretendimeve të tij, Berisha përmend edhe Gjykatën e Lartë që një vendim të muajit mars e zbardhi dy muaj me vonesë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani. Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në arrest shtëpie. Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.

Scroll to Top