
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.
Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha, në fjalën e mbajtur sot para Asamblesë ka theksuar nevojën që Shqipërisë t’i kthehet institucioni i zgjedhjeve të lira, përkundër farsës elektorale, si në diktaturë.
Ai i ka informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet e 11 majit dhe shkeljet e asaj që ai e quan “makineria elektorale e narko shtetit të Edi Ramës”, që prodhuan farsën zgjedhore e cila vihet në pah edhe në raportin e OSBE-ODHIR.
ALA E PLOTE e Berishës:
Dëshiroj t’ju falënderoj, dhe gjithashtu t’ju informoj se zgjedhjet në Shqipëri ishin një farsë e paralajmëruar. Partitë e qendrës së djathtë në Europë dhe në mbarë botën, që nga tetori i vitit të kaluar, kanë miratuar njëzëri 5 rezoluta që paralajmëronin atë farsë që do të ndodhte në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Dëshiroj të falënderoj anëtarët e Misonit vëzhgues të Asamblesë Parlamentarë të OSBE, që erdhën në Shqipëri për të vëzhguar këto zgjedhje, e gjej rastin ti falënderoj për punën që ata bënë. Shqipëria është i parë dhe i vetmi narkoshtet në Europë.
Sa e vështirë është kjo për ne? Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më pare një narkodiktaturë.
Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit.
Por ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Në këtë kuadër, Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj.
Ndërkohë në Amerikën Latine, janë 14 mijë shqiptarë që punojnë në kartelet e drogës, dhe disa prej tyre i drejtojnë këto kartele, si për shembull karteli i drogës Sinaloa.
Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj.
Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit.