Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë në Ballkan

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Sipas njoftimit të Aleancës, Mark Rutte, gjatë kësaj vizite në Bosnjë dhe Kosovë, shoqërohet nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, si dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

BOSNJE- Kreu i NATO-s, Mark Rutte fillon të hënën një vizitë në Ballkan. Stacioni i parë Bosnje-Hercegovinë, nesër ai qëndron në Kosovë. Para vizitës Rutte ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkan. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte të martën (11.03) pritet të vizitojë Kosovën, ndërsa gjatë ditës së hënë (10.03) ai qëndron në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo është vizita e parë e Mark Rutte-s në Kosovë që nga marrja e postit të shefit të NATO-s.

Sipas njoftimit të Aleancës, Mark Rutte, gjatë kësaj vizite në Bosnjë dhe Kosovë, shoqërohet nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, si dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Para kësaj vizite, shefi i NATO-s ka deklaruar se “stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është çështje e rëndësishme”, duke shtuar se “nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Aleancën Veri-Atlantike, NATO”.

Vizita e Ruttes në kohë tensionesh në Bosnje-Hercegovinë

Sipas njoftimit të NATO-s, gjatë vizitës në Bosnjë-Hercegovinë, Mark Rutte do të takojë zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, kryetarin e Këshillit të Ministrave, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin në detyrë të Sigurisë. Vizita e shefit të NATO-s në Bosnjë zhvillohet në një periudhë tensioni në këtë shtet, pasi presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, më 5 mars nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës. Me këto ligje ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare.

Pas Bosnjë-Hercegovinës, shefi i NATO-s, Mark Rutte, viziton Kosovën. Në Prishtinë, sipas njoftimit nga zyra e tij, ai do të zhvillojë takime bilaterale me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Rutte do të takojë gjithashtu shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, shefin e misionit EULEX, komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giovanni Barbano, shefen e UNMIK-ut dhe atë të misionit të OSBE-së.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovë, i cili shoqërohet nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, ndodh vetëm pak ditë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve dhe në pritje të krijimit të qeverisë së re të vendit./DW

Scroll to Top