SHBA heq disa masa kufizuese ndaj Kinës

Jil
Jil
3 Min Read

Ministria e Tregtisë e Kinës tha të premten se Shtetet e Bashkuara e kanë njoftuar Kinën për vendimin e tyre për të hequr një numër masash kufizuese tregtare.

“Kina po shqyrton, në përputhje me ligjet dhe rregulloret, kërkesat për leje eksporti për artikujt e kontrolluar përkatës. Ndërkohë, ShBA-ja ka ndërmarrë veprimet përkatëse, duke përfshirë heqjen e disa masave kufizuese ndaj Kinës, dhe e ka informuar zyrtarisht palën kineze lidhur me zhvillimet përkatëse,” bëri të ditur ministria.

Ajo shtoi që kjo lëvizje pason konsensusin në parim të arritur gjatë bisedimeve ekonomike e tregtare Kinë-ShBA në Londër dhe rithekson drejtimin e përcaktuar gjatë një telefonate midis dy krerëve të shtetit më 5 qershor.

Edhe pse Ministria e Tregtisë e Kinës nuk specifikoi se për cilët artikuj bëhet fjalë, koha përputhet me veprimet e fundit të ShBA-së, që siç raportohet, lehtësojnë kufizimet mbi disa eksporte të teknologjisë kyçe në Kinë, duke përfshirë mjetet e automatizimit të projektimit elektronik (EDA), të përdorura në prodhimin e gjysmëpërçuesve, si edhe disa komponentë të motorëve të aviacionit.

Softueri EDA është thelbësor në procesin e projektimit të mikroçipave dhe më parë u është nënshtruar kufizimeve të eksportit që synojnë zhvillimin e nyjave të përparuara. Furnizuesit amerikanë, si “Synopsys” dhe “Cadence”, zotërojnë tregun global në këtë sektor.

“Bloomberg” dhe “Reuters” raportuan të enjten se “Synopsys”, “Cadence” dhe “Siemens” – tre nga ofruesit kryesorë të softuerëve EDA në botë – po rikthejnë ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre për klientët kinezë, pas heqjes së kufizimeve të eksportit nga ShBA-ja.

Së bashku, këto firma kontrollojnë mbi 70 për qind të tregut të EDA-s të Kinës, gjë që e bën ndryshimin e politikës përkatëse të ShBA-së një zhvillim të rëndësishëm për ekosistemin e projektimit dhe prodhimit të gjysmëpërçuesve të Kinës.

Qeveria e ShBA-së njoftoi ​​gjithashtu eksportuesit amerikanë të etanit, duke hequr kërkesat e mëparshme për leje për dërgesat në Kinë.

Si pjesë e këtij ndryshimi të gjerë të politikave, “GE Aerospace” tani lejohet të rifillojë dërgimin e motorëve të vet reaktivë dhe teknologjisë përkatëse për prodhuesin kinez të avionëve COMAC.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania