Sulmuesi i Kombëtares dhe Chelseas, Armando Broja ka reaguar në një postim të gjatë në kanalet e komunikimit, duke i quajtur të rreme lajmet për një “krisje” të tij në Kombëtare. 22-vjeçari e thotë qartë se ka qenë jashtë grumbullimit për shkak të dëmtimit që e ka mbajtur jashtë fushave për 11 muaj. Broja shkruan se tekniku nuk e ka përzgjedhur vetëm për shkak të dëmtimit që kishte pësuar dhe se kishte luajtur shumë pak në këtë periudhë.
Sulmuesi thotë se kanë qarkulluar lajme të rreme dhe se ai e do kombëtaren me gjithë zemër, madje në fund i ka uruar fitoren ne ndeshjen e nesërme me Ishujt Faroe në ‘Air Albania’.
“I gjithë ky lajm i rremë që qarkullon duke thënë se unë dhe menaxheri jemi zënë është gënjeshtër e plotë. Unë e dua kombëtaren me gjithë zemër. Isha shumë i mërzitur që mun desh të humbisja 1 vit të kombëtares për shkak të dëmtimit dhe më pëlqen të besoj se unë dhe menaxheri kemi një marrëdhënie shumë të mirë ku mund të flasim lirshëm dhe me respekt me njëri-tjetrin. Ai ka bërë një punë të mrekullueshme dhe jam personi më i lumtur që shoh Shqipërinë të kualifikohet për Gjermani. Kam shumë respekt për të gjithë stafin dhe lojtarët dhe menaxherin në Shqipëri. Ai nuk më zgjodhi mua jo sepse u prishëm bashkë, por thjesht sepse u lëndova dhe nuk isha në formë. Nuk kam luajtur asnjë ndeshje që nga grumbullimi i fundit. Inshallah me fitore nesër. Me respekt Armando Broja”, shkruan Broja.