
Policia e Tiranës ka sqaruar këtë të martë të gjithë dinamiken e sherrit të ndodhur ditën e djeshme pranë ish-Stacionit të Trenit, në të cilin ndërhyri dhe një punonjës policie, ndërsa shumë qytetarë u shqetësuan nga skenat që ndodhën në rrugë, në mes të ditës.
Sherri banal mes disa personave ndodhi ditën e hënë në një lokal në zonën e Stacionit të Trenit, ku nisi fillimisht në ambientet e brendshme të një lokali dhe më pas vijoi në rrugë, duke përfshirë edhe persona të tjerë.
Gjatë tentativës së një punonjësi të Policisë Rrugore për të qetësuar gjakrat dhe për të ndaluar palët në konflikt, një nga personat e ka kundërshtuar dhe i ka hedhur pistoletën në rrugë. Kalimtarët kanë ndërhyrë në ndihmë të policit, ndërsa disa vajza kanë kundërshtuar veprimet e efektivit.
Policia sqaron se në lidhje me këtë ngjarje ka arrestuar 23-vjeçarin K. K., si dhe ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetaset L. G., 25 vjeçe dhe E. G., 25 vjeçe (motra), Sh. Ll., 20 vjeç, K. H., 20 vjeç dhe K. N., 20 vjeç.
Sipas Policisë, ditën e hënë, në ambientet e një lokali në rrugën “Reshit Petrela” në Tiranë, 23-vjeçari K. K është konfliktuar me shtetasit Sh. Ll., K. H. dhe K. N., dhe gjatë konfliktit ka dëmtuar lehtë me mjet prerës shtetasin Sh. Ll. Gjithashtu, K. K., gjatë ndërhyrjes së punonjësit të Policisë Rrugore në shërbim, i ka marrë atij armën e shërbimit dhe e ka hedhur disa metra më tej në rrugë. Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe dy motrat, të cilat kanë kundërshtuar punonjësin e Policisë.
Nuk dihet ende cili ka qenë motivi i këtij sherri, por kalimtarët janë tronditur dhe kanë mbetur të shtangur nga skenat e dhunës në mes të rrugës.