Në kuadër të fazës së dytë të operacionit anti-drogë të koduar “Break” është shkatërruar një grup kriminal që shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në lokale nate në qarkun e Korçës.
Në pranga kanë rënë 7 persona (njëri prej tyre organizatori) dhe është shpallur në kërkim një 34-veçar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë 6 persona të tjerë.
“Konkretisht, gjatë kësaj faze, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit A. M., 39 vjeç (me rolin e organizatorit), B. Gj., 37 vjeç, K. D., 27 vjeç, M. J., 19 vjeç, M. L., 34 vjeç, S. L., 37 vjeç dhe E. H., 27 vjeç. U shpall në kërkim shtetasi P. H., 34 vjeç, me të njëjtën masë sigurie, për të njëjtën vepër penale”,
Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për 34-vjeçarin me iniciale (me rolin e bashkëorganizatorit), i cili aktualisht është i ndaluar në Itali, me të njëjtën masë sigurie për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan sasi kokaine dhe kanabis sativa, shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 1 peshore elektronike, 3 automjete dhe 9 celularë.
Operacioni vijon.