
Njëzet e gjashtë milionë euro për studentë, një milion për pako ushqimore për familjet në nevojë, subvencionim i faturave të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta…
Këto vendime të Qeverisë në detyrë të Kosovës më 7 tetor u cilësuan nga kundërshtarë politikë e përfaqësues të shoqërisë civile si fushatë elektorale.
Për kë? Për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë në pushtet, që synojnë të fitojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Nuk është e qartë se kur do të shpërndahen këto mjete dhe mbi çfarë kriteresh. Unë besoj se është vetëm për ta krijuar një narrativ që do të shfrytëzohet për zgjedhjet”, thotë Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, për Radion Evropa e Lirë.
Ai dyshon se shpërndarja e këtyre mjeteve, në mënyrë specifike për studentë, do të përkojë me rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku Cakolli pret që në garë të jenë shumë kandidatë të LVV-së.
“Kjo u ofron mundësinë kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta kenë si aset shtesë në zgjedhje temën e ndarjes së këtyre mjeteve, duke e shfaqur këtu idenë e përkrahjes që do ta kenë nga niveli qendror”, shton Cakolli.