
Një vullkan në ishullin turistik Flores, në Indonezinë lindore, ka shpërthyer sërish mbrëmjen e së enjtes, duke detyruar autoritetet të rrisin nivelin e alarmit në maksimum. Vullkani Levotobi Laki-Laki, i cili është 1703 metra i lartë, lëshoi një re hiri që arriti deri në 8000 metra mbi majën e tij, ndërsa shpërthimi zgjati për 11 minuta e 9 sekonda, sipas Agjencisë Indoneziane të Vullkaneve.
Shpërthimi nisi në 22:56 me orën lokale dhe u shoqërua me goditje të fuqishme, të cilat u dëgjuan deri në qytetin Maumere, që ndodhet 80 kilometra larg, dhe në rajonin e Larantukës, 50 kilometra nga vullkani.
Autoritetet kanë ndaluar qasjen në një rreze prej 7-8 kilometrash rreth vullkanit, për të shmangur rreziqet e mundshme.Deri më tani nuk raportohet për dëme në fshatrat përreth, por banorët janë paralajmëruar për mundësinë e rrëshqitjeve të baltës vullkanike për shkak të reshjeve të mëdha.
Ky vullkan ishte riaktivizuar edhe në nëntor të vitit të kaluar, ku shpërthimi shkaktoi nëntë viktima, anuloi dhjetëra fluturime ndërkombëtare për në Bali dhe detyroi mijëra banorë të largoheshin nga fshatrat e tyre.
Emri i vullkanit, “Laki-Laki”, do të thotë “burrë” në indonezisht dhe ai ka një vullkan “binjak” më të qetë, të quajtur “Grua”.