Moti i keq me reshje shiu ka shkaktuar probleme në disa qytete të vendit.
Situata më problematike është raportuar në Durrës. Ministria e Mbrojtjes ka reaguar së fundmi për gjendjen në terren, ndërsa sqaron se po punohet për të rikthyer normalitetin në zonat me problematika.
Ministria e Mbrojtjes thorë se janë shpëtuar 4 fëmijë të bllokuar në një furgon shkolle.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat operacionale të emergjencave civile janë angazhuar në monitorimin e kujdesshëm të situatës në vend, duke punuar për rikthimin sa më shpejt të normalitetit në zonat më problematike pas reshjeve të dendura të shiut që u regjistruan gjatë ditës së mërkurë. Fokusimi kryesor është në Bashkinë Durrës, ku po ndërmerren masa për normalizimin e situatës.
Forcat e Armatosura, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile (AKMC), strukturat lokale dhe Emergjencat Civile pranë bashkisë po punojnë intensivisht në disa zona, përfshirë kryqëzimin e stadiumit, stacionin e trenit, lagjen “17 Nëntori”, zonën e Kënetës dhe Shkozetin. Emergjencat Civile kanë ndihmuar katër fëmijë të bllokuar në një furgon shkolle dhe një familje, ndërsa situata më problematike ka qenë në rreth 40 banesa në Shkozet, ku është regjistruar prani uji.
Për të mbështetur operacionet në terren, Forcat e Armatosura kanë dërguar dy pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe tre mjete të kalueshmërisë së lartë. Aktualisht, forcat e Drejtorisë Rajonale të Kullimit Durrës po punojnë për pastrimin e Kanalit të Ujërave të Larta në unazën e qytetit, ndërsa strukturat e Autoritetit Portual, ndërmarrjet e Bashkisë Durrës, MZSH-së dhe Policia Bashkiake janë gjithashtu të angazhuara në këtë proces.
Sipas Prefektit të Durrësit, situata po shkon drejt normalizimit. Hidrovori po punon me kapacitet të plotë, dhe niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave të sigurta, pa rrezik. Gjithashtu, situata është normale në digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve.
Në pjesën tjetër të vendit, situata është nën kontroll dhe nuk ka probleme në qarkullim. Të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave normale dhe nuk paraqesin rrezik. Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të ndërhyrë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë, ku priten reshje mesatare të shoqëruara me shtrëngata.