JiL.al - Jeto i Lumtur

Shqipëria, NATO-ja dhe industria ushtarake

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Lajm i madh qe rihapja e bazës ushtarake ajrore të Kuçovës, sepse kjo ndodhi fiks nëntë vjet nga momenti i anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Mua mu bë shumë qejfi për këtë ngjarje të madhe, sepse duke qënë bir ushtaraku e prisja prej vitesh.

Por ky moment edhe pritej, edhe nuk pritej, sepse dihet, kur si shtet je i (pa)varur nga të tjerët (si në çdo fushë tjetër të jetës) dhe nuk je ti si shtet në gjendje, të bësh përpara, ta rihapësh vetë, ta rindërtosh vetë dhe ta rivendosësh në punë vetë, sepse duhet të presim nga jashtë specialistët e huaj, kur i kemi pasur me shumicë në vend dhe i kemi flakur ata si një copë lecke në rrugë.

Nga ana tjetër unë shpresoj, që kjo bazë të rikthehet në një mundësi të artë për banorët e Kuçovës dhe të zonës përreth, ku papunësia është në kulmin e saj dhe që njerëzit jetojnë me ndihmat ekonomike. A do t`ia rikthejë kjo bazë ushtarake shkëlqimin e humbur të dekadave të shkuara Kuçovës ose siç njihej gjerësisht Qyteti – Stalin? –

Jugu ka një shprehje shumë të goditur për të tilla rastesh: Nuk më ha buza kulaç. Dhe nuk e di, pse mendimi më vete tek ana negative, sepse unë jam rritur në këtë qytet të mrekullueshëm me njerëz shumë të mirë dhe intelektualë të shkëlqyer për atë kohë të shkuar. E njoh mirë të gjithë aerodromin dhe pistën. Jam rritur aty pranë pilotëve dhe teknikëve dhe ushtarakëve të tjerë babaxhanë dhe shpirtmirë. Është një bazë, që çdo shtet i NATO-s dhe shtete të tjera në botë do ta kishin zili,

sepse epiqendra dhe vendndodhja e saj është strategjike, sepse i plotëson çdo parametër të mundshëm për uljen dhe ngritjen e çdo lloj avioni ushtarak të çdo lloji të mundshëm. Është ndër të vetmet pistat, ku sipas specialistëve tanë dhe të huaj nuk ka erëra anësore, të cilat janë shumë të dëmshme për avionët në momentin e uljes së tyre në pistë. Dhe shumë anë pozitive të tjera, që zotëron kjo pistë dhe ky aerodrom. Ja mirë, që kjo bazë u rihap pas shumë vitesh dritëhijesh dhe lënie në harresë.
Por lind pyetja: A do të shoqërohet kjo rihapje me pjesë të tjera të Puzzle-it ushtarak shqiptar? Dihet,

që baza ajrore e Kuçovës ka pasur edhe uzinën e aviacionit të Kuçovës, e cila riparonte të gjitha difektet dhe motorët e aeroplanëve MIG 15, MIG 17, MIG 19, etj. Ku janë inxhinierët dhe punëtorët e kësaj uzine??? Nuk e di, a do të ringrihet edhe njëherë kjo uzinë e famshme për kohën e shkuar dhe do të punësojë me qindra banorë të këtij qyteti dhe rrethinave përreth, të cilët kanë jetuar me këtë uzinë? Pishtarët e kësaj uzine me famë, si: Daut Gurabardhi, Agim Bylyku, Yzeir Lame, Raqi Sevo, Qani Topollai, Novrus Koçileri, Guri Panariti, Agim Asqeriu dhe brezat e mëvonshëm, ku janë? Ku kanë shkuar? Apo kanë humbur si kripa në ujë?
A do të ringrihet edhe njëherë industria e famshme ushtarake e Shqipërisë? –

Ndonjëherë edhe unë shoh ëndrra të parealizueshme, sepse ëndrra janë dhe bëjnë vaki të realizohen (por ti si shtet nuk je i (pa)varur, që të ndjekësh politikën tënde të pavarur në të gjitha fushat e jetës.)

A do të rihapet me efiçencë të plotë kombinati mekanik i Poliçanit në Skrapar, një ndërrmarrje shtetërore e themeluar që në vitin 1962,

ku prodhoheshin lloj – lloj municionesh për kallashnikovë, municione mortajash, granata ofensive dhe difensive si dhe mina të ndryshme anti – tank, etj. Pavarësisht se shfrytëzohet vetëm një pjesë e vogël e këtij kombinati për prodhimin e municioneve pistoletë të tipit

“Makarov” dhe “Parabellum” me kalibër 19mm. Të mos flasim për uzinën mekanike të Gramshit e themeluar po në vitin 1962, e cila dikur prodhonte pushkën “Simonov” me kalibër 7.62 mm apo që më vonë aty u prodhua kallashnikovi i famshëm AK – 47.

Ose uzinat e Mjekësit në Elbasan, që në fillimet e para të vetat kanë prodhuar eksplozivë dhe propelantë, të mendosh që në vitet `60 dhe më vonë në vitet `80 u prodhuan eksplozivë më të fuqishëm të kohës me licencën e “BOFORS” në mjedise të reja dhe të përshtatshme. Të mos flasim për llojet e tjera të municioneve, që janë prodhuar dhe mund të prodhohen ende në këto ndërmarrje. A duhet të shpresojmë për një ringjallje të kësaj industrie ushtarake me emër në kohën e diktaturës komuniste? Apo ………..
Një tjetër aspekt, që më ra menjëherë në sy gjatë atij momenti. Gjatë inagurimit të rihapjes së bazës ushtarake të Kuçovës në qiellin shqiptar mbi qytetin naftëtar fluturuan avionët e NATO-s me pilotë të huaj. Menjëherë mendova, ku janë pilotët shqiptarë. Ku kanë humbur shqiponjat shqiptare të ajrit dhe të aviacionit shqiptar. Apo nuk kemi fare, asnjë pilot? Më falni, harrova të përmend pilotët e e helikopterëve tanë. Prandaj a nuk do të ishte mirë, që hapi tjetër të ishte ringritja edhe njëherë e Akademisë së Forcave Ajrore të Vlorës ose e njohur ndryshe rëndom si Shkolla e Vlorës, e cila ka nxjerrë me dhjetëra pilotë dhe teknikë avionësh dhe me të cilët është krenuar dhe krenohet ende aviacioni shqiptar edhe në këto kohë moderne, si p.sh: Luto Sadikaj, Hazbi Serani, Stilian Tanku, Jovan Kaçorri, Muharrem Hita, Refit Jazo, Petrit Bebeçi, Bilal Sina, etj. Apo do të vazhdojmë të krenohemi të shkuarën? Sepse deri më sot nuk kam dëgjuar për pilotë të rinj shqiptarë për avionët reaktivë (Më iluminoni ju lutem, nëse kam gabuar me këtë konstatim nga ana ime.) Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? A do të plotësohet më në fund Puzzle ushtarak shqiptar me pjesët e tjera, që i mungojnë atij prej dekadash? – Të presim me padurim. Unë besoj, që NATO-ja për interesin e saj madhor do të na japë një dorë të mirë për të ringritur edhe njëherë Forcat Ajrore shqiptare, ushtrinë shqiptare dhe industrinë ushtarake shqiptare në përgjithësi. Le të shpresojmë! Le të kryqëzojmë gishtat!

Scroll to Top