Nga Namir Lapardhaja
Përveç mënyrave të njohura, siç janë bashkëpunimi me krimin e organizuar, kontrollimi i votës, fryrja e administratës dhe përdorimi i financave publike në funksion të partisë, një ndër format tradicionale të mbajtjes së pushtetit nga Partia Socialiste dhe e majta, janë konservimi i së shkuarës, përkujtimi i ngjarjeve, betejave, datave, përpjekjeve dhe heroizmave nga Lufta Nacional Çlirimtare, të cilat në masë të madhe as që nuk kanë ndodhur kurrë.
Ndërtimi dhe përkujdesi për lapidarët në çdo cep të Shqipërisë, në maja malesh ku këmbë gjermani nuk ka shkuar, në rrëzë kodrash ku këmbë italiani nuk ka shkelur apo në qendra qytetesh që në vend të heronjve të mendjes, të dijes dhe kulturës, vendin e kanë zënë heronjtë e rremë të një kohe të errët dhe të ngjarjeve që janë manipuluar dhe deformuar sa herë i është dashur pushtetit, është në vazhdën e përdorimit që e majta i bën një periudhe të caktuar historike, që nuk e ndihmon për të ndriçuar historinë e djeshme, por për të mbajtur pushtetin e sotëm.
Ky përdorim i së shkuarës është nga ato raste ku propaganda e mbyt realitetin, ku historisë ia zë vendin legjenda, ku në vend të specialistëve të fushës, fjalën e marrin të ashtuquajtur pasardhës të veteranëve apo më keq akoma veteranë që për ditëlindje kanë pas viteve ’44-’45.
Në këtë panoramë të gënjeshtërt nuk mungojnë as zyrtarë, kryetarë bashkish, deputetë apo ministra të PS-së, të cilët, në këmbim të lidhjes rreth qafës së shallit të kuq, fjalëve dhe fjalimeve hipokrite, të veshura me pathos, me hiperbola dhe zmadhime të tepërta, përtypin babëzishëm të kaluarën për të siguruar pushtetin e sotëm.
Të nginjur nga pushteti i tepërt, të mirave materiale dhe ekonomike që burojnë prej tij, në mungesë të theksuara të çdolloj idealizmi dhe me një seriozitet të hatashëm, që në çdo rast tjetër do merrej për tallje të hapur, ata përsërisin çdo datë, çdo përkujtimore, çdo ‘çlirim’, çdo brigatë sulmuese, çdo konferencë antifashiste, çdo lidhje gruaje…, për çdo vit, ku vitit pasardhës i shtohet një heroizëm që në vitin e kaluar nuk është përmendur dhe më parë nuk është njohur.
Në vend që e shkuara të shihej në optikën e kriticizmit dhe në lupën e historianëve, te ne ajo keqpërdoret nga pushteti, që në çdo rast, veç të tjerash, është edhe korruptiv, por që i shërben kjo periudhë e së shkuarës për të fshehur dështimet e së tashmes dhe për të mos u lënë kohë njerëzve për të menduar kërkimin e llogaridhënies në raport me premtimet e bëra.